English

Vendimi: Nga 1 maji lehtësohet kontrolli kufitar Shqipëri-Kosovë

Prishtinë, 27 prill 2011, NOA- Gjatë mbledhjes së qeverisë së ditës së sotme nën drejtimin e kryeministri Hashim Thaçi, u miratuan disa projektligje dhe vendime.

Kreu i qeverisë në fjalën e tij përshëndeti krijimin e komisionit për ndryshimin e kushtetutës dhe komisionit për reformën e sistemit zgjedhor.

“Do të jetë ky një proces ku do të përfshihet gjithë spektri politik, civil gjithashtu, për dhënien e ideve, mundësive, debatit dhe natyrisht në kuadër të inicimit nga Qeveria e Kosovës për këto ndryshime qysh në mbledhjen e parë të qeverisë, pra për reformat që duhej ta përfshinin vendin me ndryshime të mundshme kushtetuese”, u shpreh Thaçi.

Sipas tij, tashmë i gjithë spektri politik është i përfshirë në komisione, madje shprehu bindjen se debati i këtyre ndryshimeve do të përcillet me ide, që janë në përputhje me realitetin në Kosovë, për Kosovën demokratike, për sundimin e ligjit, për respektimin afirmativ të komuniteteve, për Kosovën evropiane”, u shpreh Thaçi.

Në një vjetorin e fillimit të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdarë, kryeministri Thaçi para kabinetit qeveritar ka vlerësuar lartë punën e institucioneve dhe të punëkryesit në këtë projekt të rëndësishëm për vendin.

“Në tri seksionet që tani pritet të përmbyllen në fund të verës është duke u punuar para periudhës kohore, që është planifikuar, seksioni i tretë tre muaj para kohe, seksioni i dytë pesë muaj para kohe. Prandaj, të tri këto seksione, 34 kilometra, do të përmbyllen dhe qytetarët do të kenë mundësi të qarkullojnë në këto segmente të autostradës. Pastaj, do të vazhdohet në seksionin e katërt. Ndërsa sot jepet sinjali për shpejtim të segmentit të pestë, nga Qafa e Dulës në drejtim të Orllatit, magjistrales Prishtinë-Pejë dhe në vazhdimësi me segmentet tjera” deklaroi kreu i ekzekutivit Kosovar.

Në përfundim ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka njoftuar Kabinetin qeveritar për nënshkrimin e memorandumit me Republikën e Shqipërisë për thjeshtësimin e proceduarve të kontrollit kufitar që nga 1 maj.

a.y/NOA

KOMENTE