Durrës, 27 prill 2011, NOA- Kandidati për qytetar të parë të Durrësit i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferraj gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me arsimtarët e këtij qyteti.
Gjatë bisedës me të mësuesit shprehën pakënaqësi për mungesën e ambienteve të rregullta të klasave, ambienteve sportive dhe tualeteve, gjendjen e keqe të disa prej godinave të shkollave, mungesa e bibliotekave etj.
Kandidati Xhaferraj, u premtoi atyre se sporti do të ishte një nga prioritetet e punës së tij, duke nisur që nga masivizimi i sportit, vëmendje ndaj sporteve të traditës dhe funksionim të drejtë të Këshillit Sportiv në Bashki.
Ndër të tjera ia tha se, përmirësimi i infrastrukturës së godinave do të ishte hapi i parë i punës së tij, ndërkohë që do të bëhej e mundur edhe financimi i projekteve për aktivitete të ndryshme, do të jepen bursa për nxënësit më të mirë dhe në shërbim të rritjes së cilësisë së arsimit, do të kryheshin edhe binjakëzime me qytete të ndryshme jashtë Shqipërisë.
Më tej Xhaferraj tha se,”Komuniteti i arsimit do të ishte një prej partnerëve kryesorë, me të cilët bashkia do të bashkëpunonte në të ardhmen, jo vetëm për të qenë më pranë problematikave të këtij komuniteti, por edhe sepse, arsimi është një prej themeleve, mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e shëndoshë”.
Në takimin në të cilin ishin të pranishëm mbi 250 arsimtarë nga shkolla të ndryshme të Durrësit, kandidati i maxhorancës premtoi se do të tregohej vëmendje më e madhe në përmirësimin e gjendjes së godinave të shkollave që aktualisht paraqesin probleme, duke i pajisur ato me gjithçka që kanë nevojë.
a.y/NOA