Tiranë, 28 prill 2011, NOA - Banorë të Kamzës të udhëhequr nga kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” për bashkinë Kamëz, Rakip Suli dhe deputeti socialist Namik Dokle protestuan sot para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duke kërkuar që qendrat e votimit të vendosen në mjedise publike dhe jo në lokale private, që i kanë në pronësi mbështetës të PD-së.
Deputeti socialist akuzoi kryekomisionerin Arben Ristani se është shërbëtor i mjerë i regjimit e se me këtë mënyrë po rreket të manipulojë votat e banorëve të Kamzës.
Dokle tha se janë të gjitha mundësitë që banorët e Kamzës të votojnë të qetë, jo nën presionin e pushtetit.
“Vota e banorëve të Kamzës, do jetë e garantuar pavarësisht tentativave për manipulim të këtij shërbëtori të mjerë të rregjimit që quhet Ristan”, garantoi Dokle.
“I themi kreut të KQZ, Ristani dil nga stani ku të ka futur Sali Berisha. Dil dhe zbato Kodin Zgjedhor. Dil dhe jepu përgjigje qytetarëve të Kamzës. Dil dhe jepu përgjigje votuesve të Kamzës. Dil dhe jepu përgjigje grave të Kamzës që fyhen dhe ofendohen për t’u penguar të votojnë. Dil dhe jepu përgjigje vajzave të Kamzës që maskarenjtë e tu dhe të Sali Berishës ju drejtohen me fjalë të ndyra ashtu, si Sali Berisha i drejtohej Prokurores së Përgjithshme pas 21 janarit. Ne nuk do të lejojmë as Sali Berishën dhe as Ristanin të merren e të fyejë njerëzit tanë. Njerëzit tanë do të shkojnë të votojnë të qetë, të lirë sepse vota e lirë është thelbi i demokracisë”, theksoi deputeti Dokle.
Dokle i referohet Kodit duke i thënë kreut të KQZ-së se qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe vendi i numërimit të votave të krijohen në ndërtesat publike me hyrje të lirë.
Ai parashtroi disa nga ankesat e banorët e Kamzës ku votuesit ankohen se një nga qendrat e votimit është vendosur në një lokal të një militanti të PD-së, që mban gjithë ditën, flamujt e PD-së.
“Ja ku i kemi të rreshtuara. Kjo zoti Ristani është shkresa që të kemi dërguar, ku i kemi të përcaktuara të gjitha mundësitë për të vendosur qendrat e votimit. Ke objektin e Fiqiri Qimanit, objektin e Lulzim Lamës, objektin e Xhelal Koldashit, dy qendra votimi në lokalin e Izet Ahmetaj, objekti i Ali Vatit”, bëri me dije deputeti socialist, duke i bërë thirrje kryekomisionerit Ristani të zbatojë Kodin Zgjedhor.
mit/NOA