Fier, 28 prill 2011, NOA – Lideri demokrat Sali Berisha i bëri thirrje fierakëve në tubimin elektoral të votojnë kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për bashkinë Ilir Belen me qëllim që Fieri i pasurive përrallore të shndërrohet në vlera për secilin prej fierakëve. Kryeministri Berisha i ftoi banorët e Fierit që në 8 maj të votojnë për zhvillimin e Fierit, pasi qytetarët e Fierit janë të parët për kandidatin demokrat Bele.
“Nuk gjen një qytet të dytë me potencialet e jashtëzakonshme të Fierit. Fieri është rrethi i burrave dhe grave punëtorë, vendi i fushave të naftës ndër më të madhëta, Fieri turistik me brigjet turistike ndër më të bukurat”, theksoi kryeministri, duke akuzuar kryebashkiakun aktual të Fierit Baftjar Zeqo se e ka lënë Fierin në mëshirë të fatit.
“Fieri nuk është ai që ne duam pasi ai është sërish qyteti i rrugicave copa copa me baltë, qytet me papunësi”, tha kryeministri.
Ai theksoi se qeveria këto katër vite ka asfaltuar 403 km rrugë nga të katër anët e qarkut, duke garantuar se në katër vitet e ardhshëm do të asfaltohen çdo kilometër rrugë në qytetin, fshatrat dhe komuna.
“Ne po ndërtojmë autostradat më të mira të vendit, by-passin e Fierit, kanalizime e ujësjellësa, qendra sociale e shëndetësore”, tha shefi i qeverisë, duke premtuar se nga ligji 25 përqind e fitimeve pasurore nga nafta e Fierit do t’i kalojë pikërisht kësaj zone. Berisha falenderoi banorët e Fierit për mbështetjen në këto zgjedhje vendore duke u thënë atyre se “Kjo fushatë ka qenë dhe mbetet një nga universitetet e mëdha të jetës sime, pasi unë si kryeministër vij si student për të mësuar tek ju projektet tuaja”.
Kryeministri Berisha tha se në këto vite fierakët dhe shqiptarët bënë realitet ëndrrat shekullore dhe nga vendi më i izoluar u shndërrua në një nga partnerët e aleancës së NATO-s.
“Ne jemi njerëz të suksesit të madh se nga të rrethuar me tela me gjemba lëvizim me kokën lartë anekënd Europës. Ekonominë e falimentuar shqiptare e ngritëm dhe kjo është vepra juaj se ju po ndërtoni Shqipërinë evropiane mbi atë që dikur ishte e bunkerëve. Ne jemi njerëzit e ngjitjes së shpejtë” tha kryeministri, pasi siç tha ai qeveria mbidyfishoi rrogat e pensionet në kulmin e krizës evropiane e botërore.
mit/NOA