Bulqizë, 28 prill 2011, NOA- Kreu i Partisë Demokratike, njëherësh Kryeministri i Shqipërisë në vijim të fushatës së tij elektorale është ndalur në Bulqizë e Klos, për të prezantuar kandidatët e këtyre qyteteve Roland Ketën dhe Ramazan Mjeshtrin.
Gjatë fjalës së mbajtur para banorëve të Bulqizës ai tha se do të bëhet gjithçka për një jetë më të mirë për minatorët dhe banorët e këtij qyteti, duke filluar nga lokalet e përshtatshme për ta, nga ulja e moshës dhe rritja e pensionit e deri në ushqim falas.
Duke e cilësuar rrugën e Arbrit, rrugën e dytë të Kombit, kryeministri u shpreh se krahas kësaj do të vazhdojë ndërtimi i unazës verilindore dhe juglindore të vendit.
“Në 4 vitet që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë, rrugicë të këtij qyteti, rrugët e fshatrave, të komunave, të ndërtojmë ujësjellësin e Gjuricës, Shupenzës dhe do të furnizojmë me ujë 24 orë banorët e Bulqizës. Brenda këtij mandati, ju të dashur qytetarë dhe qytetare të Bulqizës do të keni Tiranën në të njëjtën distancë që e ka Durrësi sot”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Para disa ditësh ishte këtu vetmitari i rrugës së vetme, zoti Edi Rama. E dëgjova disa herë që ju cilësonte ju skllevër. Skllevër janë ata që qarkullojnë dogmën e Enver Hoxhës nëpër Shqipëri. Ata janë skllevër të shqiptarëve. Kurse ne jemi gratë dhe burrat të cilët me mundin, me djersën, me përkushtimin tuaj po ndërtojmë të ardhmen e vendit. Jemi gratë dhe burrat që anëtarësuan Shqipërinë në NATO, që lëvizin sot të lirë në mbarë Evropën”, deklaroi para qytetarëve lideri i maxhorancës.
Sipas tij, “Aleanca për qytetarin” është alternativa e mundit, e djersës, e rrugës, e shkollës, e kopshtit, e rrudhave në ballë, por e nderit, dinjitetit, ndërtimit të një rruge të begatë për të ardhmen.
Ndërkaq nga Klosi Kryeministri Berisha krahas ndërtimit të plotë të infrastrukturës së qytetit dhe fshatrave të tij, veçoi ndër projektet madhore për zhvillimin e kësaj zone ngritjen e industrisë së përpunimit të kromit, nga e cila pushteti vendor do të përfitojë rentën.
Ai i garantoi banorët e kësaj zone se do të asfaltohet rruga Klos-Burrel, si dhe do të ndërtohet rrugën Klos-Urakë dhe Zenisht-Muhërr, lidhja tradicionale me Dibrën.
a.y/NOA