English

Fondi 1 miliard lekë, AKKP flet për kërkesat e kompensimit të pronarëve

Tiranë, 28 Prill 2011 NOA - Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, njofton se më datë 27.04.2011 ka përfunduar procesi i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave të subjekteve të shpronësuar për kompensim në të holla, nga fondi i vitit 2011.

Ky proces, për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011, ka filluar ditën e hënë në datë 28.03.2011 dhe ka vazhduar për një muaj kalendarik, duke përfshirë edhe ditën e mërkurë, datë 27.04.2011.

Procesi i pranimit dhe regjistrimit të kërkesave është bazuar në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar dhe në VKM nr.192, datë 09.03.2011 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011”.

Në përfundim të këtij procesi Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka regjistruar në total 1012 (njëmijëedymbëdhjetë) kërkesa për kompensim prone. Të dhëna mbi numrin e këtyre kërkesave të ndara, sipas qarqeve janë:

Tiranë Durrës Shkodër Elbasan Vlorë Fier Korçë Kukës Gjirokastër Berat Lezhë Dibër
377 65 168 43 61 78 140 8 19 26 16 11

Gjatë periudhës në vijim, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar dhe VKM nr.192, datë 09.03.2011 “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011”, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të vijojë me procesin e shqyrtimit administrativ të tyre.

Drejtori i Përgjithshëm, Elvis Çefa në një prononcim sonte për agjencinë NOA, tha: “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tiranë me këtë rast falënderon të gjithë subjektet aplikuese për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur për përmbylljen me sukses dhe korrektësi të procesit të pranimit dhe regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla të pronës”.

e.t/NOA

KOMENTE