Tiranë, 28 prill 2011, NOA- Deputeti demokrat Fatbardh Kadilli në një dalje për mediat reagoi lidhur me mungesën e vendparkimeve në kryeqytet.
Sipas tij, megjithëse bashkia ka premtuar vazhdimisht se do të krijoje hapësira për parkime publike, qytetarët janë dëshmitarë se ato po vijnë duke u pakësuar çdo ditë e më shumë.
Kadilli tha se ky është një premtim tjetër i pambajtur i Edi Ramës.
“Bashkisë së Tiranës iu deshën plot 11 vjet për të bërë dy vijëzime anës rrugës dhe për t’i quajtur ato parkime, madje edhe me pagesë. Ky improvizim i mjerë i Bashkisë së Tiranës, ngushton rrugët dhe i bën hapësirat e kalimtarëve gjithmonë e më të vogla", deklaroi deputeti demokrat.
Ndër të tjera ai tha se Rama është i interesuar vetëm pas politikës kombëtare, ndërkohë që qytetarët kanë nevojë për një qytetar që mendon për ta.
Në këtë linjë i zgjedhuri i demokratëve u shpreh se, një qytetari që punon në qendër të Tiranës, nëse parkon automjetin anës rrugës, me pagesë, ai duhet t’i paguajë bashkisë së Tiranës në vit plot 2 milionë e 400 mijë lek.
Sakaq Kadilli theksoi se si pasojë e mungesës së parkimeve ka rritje të ndotjes së ambientit dhe ndotjes akustike nga dhe rëndimi i trafikut.
a.y/NOA