English

Kuçi: Rexhepi kritikoi EULEX-in pse s’po punon

Prishtinë, 28 prill, NOA - Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka mohuar të ketë përplasje mes institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, ndërkohë që ka dalë në mbrojtje të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili verbalisht ka nisur ‘betejën’ me misionin evropian në Kosovë, për ç’gjë është kritikuar nga zëvendësshefi i EULEX-it, Endi Sparks, i cili ka thënë se do të kërkojë raport nga Rexhepi, pse ‘Kosova nuk i sheh hajr EULEX-it’.

Kuçi ka thënë të mërkurën se nuk dëshiron të merret me deklaratat individuale, por ka theksuar se ministri Rexhepi nuk e ka kritikuar EULEX-in për punë, por për mospunë.

“Unë nuk merrem me deklarata individuale, por ajo që mund të them është se edhe ministri Rexhepi, edhe unë dhe të tjerët, dëshirojmë rend dhe ligj dhe këtu dëshirojmë të kemi bashkëpunimin me EULEX-in. Nuk po e kritikon zoti Rexhepi EULEX-in, pse po punon, por pse s’po punon. Edhe mua ka dikush të drejtë të më kritikojë në këtë drejtim. Ndërsa me zotin Sparks besoj se ka raporte korrekte edhe zoti Rexhepi edhe të tjerët”, ka thënë Kuçi.

I pyetur pse po e pengon EULEX-in angazhimi i institucioneve të Kosovës për rend dhe ligj, ai ka thënë se përgjigje për këtë do të jepte në praninë edhe të EULEX-it, përderisa ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë jetë këmbëngulëse për ‘drejtimin e kurrizit pa e thyer’, që nënkupton bashkëpunimin me EULEX-in, por gjithnjë duke pasur parasysh obligimin ndaj qytetarëve dhe tërësisë territoriale të vendit.

“Mendoj që këtë pyetje duhet të na bëni kur jemi bashkë, edhe ne edhe EULEX-i. Unë do ta jap përgjigjen adekuate. Por do të them se Qeveria e Kosovës ka qenë e durueshme ka qenë e kujdesshme. E kam thënë njëherë por po e përsëris, se ne kemi dashur që ta drejtojmë kurrizin pa e thyer. Dhe kjo ka nënkuptuar bashkëpunimin me EULEX-in. Ne bashkëpunojmë me EULEX-in, me KFOR-in dhe të tjerët, për aq sa ne vendosim rend dhe ligj atje. Nëse rendi dhe ligji, dikush i bën kalkulimet politike më të mëdha se ne, ne kemi obligim edhe para të gjithëve, por kemi obligim para qytetarëve dhe tërësisë territoriale të vendit tonë”, është shprehur Kuçi.

NOA/Ekspres

KOMENTE