Flet Saliu për qytetarin, ju jeni të parët thotë. Njësoj siç thoshte në kohën e Enverit “jeni ju pa jemi ne”
Edi Rama
Sot, katër vjet më vonë, nuk janë vetëm pemët të cilat rriten dhe hijeshojnë këtë rrugë të qytetit, por janë edhe shkollat e reja, është edhe qendra e re shëndetësore. Nuk diskutohet, është edhe stadiumi sepse stadiumi është pjesë e kulturës futbollistike të këtij komuniteti, por akoma më shumë se kaq. Janë edhe rrugët e shtruara dhe blloqet e banimit ku ka filluar ndryshimi edhe pse mes shumë vështirësish dhe peripecish, mes shumë pengesash dhe harbutërisht. Kjo rrugë, që është rruga për të ardhur deri këtu, është rruga që ka mbetur në atë gjendje vetëm për një arsye, se ai zotëria atje nuk ka dashur të japë lekët për të shtruar rrugën e hyrjes së Mamurrasit vetëm sepse zgjedhjet e shkuara keni fituar ju, duke fituar Ded Ndreca. I ka bërë ashtu siç është mësuar të bëjë kudo ku qeverisin socialistët, progresistët, qytetarët, duke penguar dhe bllokuar në mënyrë që ti mërzisë njerëzit. Në mënyrë që njerëzit të humbasin besimin dhe t’i kthejnë kurrizin atyre që kanë votuar. Në asnjë qytet, asnjë komunë, askund ku njerëzit kanë votuar për ne nuk janë zhgënjyer nga ne, por vazhdojnë të zhgënjehen ditë pas dite nga ai zotëria dhe nga pushteti i tij i kusarisë dhe i matrapazllëkut.
Ai nuk është në gjendje të na thotë një qytet, apo një komunë, një të vetme ku ne të mund të shohim një model suksesi të qeverisjes vendore. Një qytet apo një komunë ku të krahasohet për nga vizioni apo mirëqeverisja me qytetet apo komunat ku ne qeverisim.
E pra, motra dhe vëllezër nuk e thotë dot sepse nuk e ka asnjë qytet dhe asnjë komunë ku njerëzit që kanë votuar për përfaqësuesit e Saliut, të mund të shihet vlera e votës si investim. Ndërkohë që këtu qytetarët e Mamurrasit e kthyen vështrimin nga ne. E kthyen vështrimin nga përfaqësuesi i aleancës sonë pas vitesh të tëra, ku me idealizëm dhe duke besuar verbërisht tek ajo lëvizje e madhe që e çliroi Shqipërinë nga diktatura dhe duke i shkuar pas si burra e gra të fjalës së dhënë, Saliut dhe shpurës së tij kurrë nuk e panë një ditë të mirë në këtë qytet dhe kurrë nuk e panë një investim për këtë qytet.
Saliu duhet të kuptojë se ne jemi e vetmja alternativë. Ne jemi e vetmja rrugë për t’i nxjerrë komunitet e këtij vendi në çdo qytet, bashki, komunë, fshat nga varfëria dhe prapambetja e tmerrshme që i ka lënë vizioni i mangët dhe rruga pa rrugë e Saliut dhe pushtetit të tij. Nuk është sukses i një qeverie që me paratë e popullit, me fondet e mbledhura nga kontributet e qytetarëve dhe sipërmarrjeve, të krenohet me rrugë rurale e me rrugë komunale. Ato janë vepra publike që ju takojnë komunave dhe ju takojnë bashkive. Qeverisë dhe kryeministrit i takon të thotë sa vende të reja pune ka hapur. Sa e ka ulur papunësinë dhe sa e ka rritur mirëqenien. Sa fuqi i ka dhënë lekut në xhepin e familjeve të zakonshme, çfarë blejnë sot familjet e zakonshme më shumë sesa dje.
Në këto tema Saliu nuk futet. Në këto tema pushteti i tij përvëlohet nga shifrat rrëqethëse. 1 milion të papunë ka sot në Shqipëri. Janë 1 milionë të papunë të humbur në rrugën qorre të një qeverisje që nuk ka lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, nuk ka lidhje me zhvillimin e integruar social.
Nga ana tjetër flet Saliu për qytetarin, ju jeni të parët thotë. Njësoj siç thoshte në kohën e Enverit “jeni ju pa jemi ne”.
E vërteta është ndryshe se po të ishin qytetarët të parët nuk do të kishte lëshuar të gjithë oborrtarët e tij nga Tirana e deri këtu në Mamurras dhe kudo, për të bërë presion në mënyrë që t’ju marrë dhe të kontrollojë votën e qytetarëve. Për të bërë presion mbi nëpunësit, për të bërë presion mbi mësuesit, për të bërë presion mbi mjekët, për të bërë presion mbi policët, për të bërë presion mbi këdo që merr rrogën në shtet dhe që zotëria e kërcënon me bukën e gojës. Po të ishin qytetarët të parët për të dhe për pushtetin e tij, duhet të priste me qetësi 8 majin. Po nuk ka faj, e pret me ankth të madh se në 8 maj do të marrë atë që meriton prej qytetarëve të Tiranës, të Mamurrasit dhe të gjithë Shqipërisë, mesazhin Kurrë më! Kurrë më njerëz të këtij vendi, prindër, burra e gra që kërcënohen në bukën e gojës për shkak se besojnë në një parti tjetër. Për shkak se janë pjesë e të menduarit kritik ndaj qeverisë. Për shkak se nuk janë të gatshëm të shkojnë në mitingjet e partisë në pushtet. Kurrë më nga ana tjetër një qeveri e cila i tregon popullit përditë përralla dhe ndërkohë e zhyt përnatë më keq në rrugën e errët të papunësisë, në rrugën e errët të varfërisë. 8 maji motra dhe vëllezër është dita që çdo qytetar të mendojë në radhë të parë për dinjitetin e vet. Që do të thotë se votën duhet ta shohë si investimin që duhet të bëjë për të ardhmen e tij, të familjes së tij, të qytetit apo të fshatit të tij dhe jo si shprehje të besnikërisë ndaj partisë.
Saliu vodhi zgjedhjet dy vjet më parë për të vjedhur Shqipërinë. Në 21 janar vrau shqiptarë të pafajshëm, vrau baballarë fëmijësh që sot janë jetimë, vrau burra që kërkonin punë, vetëm që të vazhdojë të vjedhë. Kjo është e vërteta e thjeshtë e 8 majit ku zgjedhjet janë thelbësisht politike. Jo për të ndarë me votë thjesht atë që prej dy vjetësh vazhdon të zhvillohet si një betejë mes opozitës që kërkon liri e të drejta dhe pushtetit që kërkon të qëndrojë aty duke i shtypur këto liri e të drejta, por edhe për t’i dhënë një drejtim tërësisht tjetër politikës kombëtare mbi territorin.
Politikës kombëtare mbi territorin e qyteteve dhe të fshatrave. Politikës kombëtare mbi atë pasuri të madhe që ne e kemi trashëguar nga të parët tanë.
Unë jam shumë besimplotë se këtu në Mamurras ne jo thjesht do të fitojmë me Dedën, por do të kemi një mbështetje akoma më të madhe dhe një fitore akoma më të thellë, sepse do të fitojë Mamurrasi, do fitojë çdo familje e zakonshme e këtij qyteti, do fitojnë të rejat dhe të rinjtë e këtij qyteti, do fitojnë fëmijët e këtij qyteti. Do investojnë me votën e tyre në rrugën tashmë të hapur të ndryshimit dhe të zhvillimit të këtij qyteti. Rrugë që ne do të zgjerojmë dhe do ta çojmë shumë herë me larg në vitet e ardhshme, sepse ne shumë shpejt do të jemi në gjendje që të vendosim jo vetëm politikën lokale këtu në Mamurras, por edhe politikën kombëtare. Politikën kombëtare me të cilën do të transformojmë rrënjësisht Shqipërinë.
Kjo është e mundshme dhe ne do ta realizojmë këtë. Përfaqësuesit tanë në Mamurras, Laç, Milot e Fushë kuqe që do jenë kryetarët e ardhshëm pas 8 majit. Këta katër burra janë shprehje e komunitetit. Këta katër burra vijnë nga rrugët e vështirësive të mëdha të jetës, vijnë nga familje të zakonshme të këtij vendi. E kanë çarë rrugën e jetës me shpatullat e tyre, me kurajon e dhuntitë e tyre dhe sot gjithçka ata dinë dhe munden ua vënë në dispozicion njerëzve të tyre këtu në Mamurras, në Laç Milot apo në Fushëkuqe. Vota për ta është një investim për secilin prej jush. Është një investim i çdo familjeje për veten, për lagjen, për qytetin apo për fshatin. Ndaj në 8 maj pa ngurrim dhe pa asnjë frikë votoni për këta burra, votoni për Partinë Socialiste, votoni për Aleancën për të Ardhmen. Votoni dhe besoni fort se s’ka asgjë që e ndal rrugën tonë dhe se e vetmja rrugë është rruga që na bashkon dhe jo rruga që na ndan. Është rruga që na bashkon si shqiptarë, është rruga që na bashkon si qytetarë, është rruga që na bashkon si europianë. Është rruga në të cilën këta burra janë të gatshëm t’i drejtojnë komunitetet pa ju ndarë në socialistë dhe demokratë, pa ju ndarë në blu e në rozë, pa ju ndarë në tanët dhe në të atyre, sepse në këtë rrugë ka vend për të gjithë qytetarët e kësaj republike si qytetarë të barabartë nën flamurin kuq e zi të Skënderbeut, të Ismail Qemalit, të heronjve dhe të të gjithë atyre dhanë dhe sakrifikuan për këtë pasuri të përbashkët që quhet Shqipëri.
*Pjesë nga fjala e Kryetarit të PS, sot në Mamurras