Prishtinë, 28 prill 2011, NOA - Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme plenare miratoi në parim gjashtë projektligje, planin e veprimit të Kuvendit për integrime evropiane për vitin 2011 si dhe Rezolutën për angazhimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Hashim Thaçi foli gjatë kësaj seance për procesin e decentralizimit, duke theksuar se ai është në rrugë të mbarë e do të përmbyllet shpejt.
Thaçi nënvizoi se Kuvendi ka krijuar Komisionin për Ndryshime Kushtetuese, jo vetëm për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, por edhe për ndryshime substanciale, që do të përmbyllin pavarësinë e mbikëqyrur.
Kreu i qeverisë së Kosovës foli për autostradën, duke u shprehur se është i gatshëm të japë llogari për çdo vendim të Qeverisë.
Ai tha se për devijimin e trasesë së autostradës, do të kursehen 350 milionë euro.
Duke iu referuar kërkesave për debat parlamentar për krimet e pasluftës në Kosovë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi nënvizoi se Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në trup policor, prokurorial apo gjyqësor.
Ai kërkoi që të kuptohen drejt detyrat e Kuvendit të Kosovës, duke bërë apel se “nëse dikush ka lëndë dhe fakte për ta akuzuar dikë, duhet të drejtohet në prokurori”.
Më pas Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjet në rend të ditës.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për noterinë, i prezantuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, u miratua në parim nga deputetët pasi mori mbështetjen e përfaqësuesve të grupeve parlamentare dhe të komisionit përkatës.
Mandej u miratuan në parim Projektligji për shërbimet e sigurisë private, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqëritë tregtare, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akreditim, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tregtinë e brendshme, si dhe Projektligji për gjendjen civile.
Ndërkohë Plani i veprimit të Kuvendit për integrime evropiane, për vitin 2011 dhe Rezoluta për angazhimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian iu nënshtruan një debati nga ana e deputetëve dhe në fund morën miratimin e tyre.
Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i Republikës së Kosovës rikonfirmon zotimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për përmbushjen e kritereve dhe standardeve të kërkuara për integrim në Bashkimin Evropian dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me BE-në me synimin e fuqizimit të pozitës së Kosovës në proceset e integrimit evropian.
mit/NOA