English

“Mbretëresha Geraldinë”, modernizohen sallat e operacionit

Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” përuron rikonstruksionin dhe modernizimin e sallave të operacionit

Tiranë, 28 Prill 2011 NOA/ Ariola Ymeraj - Ceremonia e përurimit të rikonstruktimit të sallave të operacionit u organizua në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, Drejtori i Spitalit, z. Halim Kosova si edhe Manaxheri i Marrëdhënieve të Korporatës në AMC, z. Nikos Parastatidis.

Rikonstruksioni i sallave të operacionit u krye nëpërmjet fondeve të akorduara nga Ministria e Shëndetësisë si edhe nga kontributi i veçantë i kompanisë AMC. Këto salla operacioni do të përballojnë rreth 2400 ndërhyrje kirurgjikale në vit.

Drejtori i Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, z. Halim Kosova, tha në ceremoninë e përurimit se “rikonstruksioni i këtyre ambienteve krijon kushte bashkëkohore për ndërhyrjet kirurgjikale si urgjente ashtu dhe të planifikuara tek gratë shtatzëna.

Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje jo vetëm që do të parandalohen infeksionet e mundshme intraoperatore por edhe janë shumë herë më komode për stafin dhe personelin mjekësor. Një kontribut të veçantë në përmirësimin e kushteve të këtyre sallave ka dhënë kompania AMC.

Kjo kompani na ka mbështetur dhe financuar në vite projekte rikonstruksionesh në spitalin tonë si ambientet e brendshme të spitalit, ashtu dhe ndërtimin e rikonstruksionin e shërbimit të urgjencës në repartin e lindjeve. Nëpërmjet këtyre investimeve ne kemi mundësi të ofrojmë shërbime shumë herë më cilësore dhe profesionale.”

Gjatë kësaj ceremonie z. Nikos Parastatidis, në emër edhe të AMC u shpreh para të pranishmëve duke thënë: “Krijimi dhe zhvillimi i infrastrukturës së dobishme për shoqërinë përbën prioritet për AMC. Me z. Kosova ne kemi realizuar projekte që kanë përmirësuar kushtet e Spitalit Obstetrik duke i ardhur në ndihmë jetëve të reja që vijnë në shoqërinë tonë. Të jesh pjesë e projekteve që krijojnë kushte sa më të mira për foshnjet e sapo ardhura në jetë është një kënaqësi e veçantë. AMC do të vazhdojë të mbështesë përherë projekte të tilla që realizojnë nëpërmjet modernizimit dhe përdorimit të teknologjive të reja përmirësimin e kushteve në shëndetësi.”

Ky rikonstruksion jo vetëm që do të rrisë sigurinë për pacientin, por do të pakësojë përdorimin e antibiotikëve në periudhën postoperatore.

e.t/NOA

KOMENTE