English

Meta në Berat: Iku koha kur varej xhaketa e merreshin votat, sot vota jepet për projekte

Berat, 28 prill 2011, NOA- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, gjatë paradites së sotme është ndalur në qytetin e Beratit për të prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ilir Deçollin.

Gjatë fjalës së tij, lideri i LSI-së në 8 maj qytetarët e Beratit duhet të votojnë për një kandidat që do të punojë për të gjithë qytetarët pa dallime partiake, sepse shtoi ai është pikërisht momenti për t’i dhënë fund ndarjeve politike për interesa të ngushta në qytetin e Beratit.

Sipas tij, Berati do t’i japë me votë, në mënyrë të qetë, të kulturuar dhe demokratike sikurse e ka në natyrën e vet përgjigjen e merituar atyre të cilët e kërkojnë Bashkinë e Beratit jo për t’i shërbyer qytetarëve por për t’i shërbyer konfliktit me qeverinë, pasi tha ai, interesi duhet të jetë një dhe vetëm një, për të përmirësuar jetën e komunitetit tuaj të mrekullueshëm, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të shumta për të cilat bashkia ka një përgjegjësi të madhe.

Më tej kreu i LSI-së shtoi se, Berati ka nevojë për një vizion të ri, ka nevojë për një partneritet të ri, për një kontratë të re dhe unë jam i sigurt se kandidati i përbashkët Ilir Deçolli do t’i qëndrojë kësaj kontrate me të gjithë qytetarët e Beratit pa asnjë dallim.

“Berati nuk është një qytet ku dikush mund të varë xhaketën dhe t’i marrë votat edhe pa punuar për Beratin. Kjo kohë ka kaluar. Ndaj ka nevojë për një kryetar të ri të Bashkisë, ka nevojë për një ekip të ri, ka nevojë për një vizion të ri në mënyrë që këtë pasuri të jashtëzakonshme historike, kulturore, muzeale ta shndërrojmë në një mirëqenie të prekshme për të gjithë qytetarët e Beratit për të rritur turizmin dhe për të kthyer këtë qytet në një qendër shuam të rëndësishme të gjithë kësaj pjesë të Shqipërisë”, u shpreh Meta.

Ndër të tjera ai shtoi se, Boshti i Jugut do të bëjë të mundur që qyteti i Beratit të jetë një nga kryeqendrat e zhvillimi të të gjithë Shqipërisë, nga vota për “Aleancën për Qytetarin”, nga vota për progresin, nga vota për të rritur mirëqenien e çdo qytetari të Beratit, nga vota për të çuar përpara të gjitha projektet në një partneritet të ngushtë me qeverinë.

Më tej ai tha se, nuk mund të votojnë qytetarët e Beratit, nuk mund të votojnë të rinjtë e Beratit për një kryebashkiak e cili nuk firmos lejen për universitetin e ri, një universitet vërtet privat por me tarifa njësoj si universitetet publike.

Në përfundim Meta theksoi se, nuk mund të lejohet askush që për qëllime krejtësisht politike të pengohet një projekt që i shërben jo vetëm të rinjve dhe të rejave të Beratit por e shndërron këtë qytet në një qendër shumë të rëndësishme universitare.

a.y/NOA

KOMENTE