English

Ministria e Mbrojtjes: Hetim për shpërthimin në Skrapar, masa për ngjarjen

Tiranë, 28 prill 2011, NOA – Ministria e Mbrojtjes reagoi për shpërthimin aksidental në poligonin e asgjësimit të municioneve dhe eksplozivëve në Bigaz të Skraparit, ku gjatë asgjësimit të municioneve humbi jetën rreshteri Agim Mekollari dhe u plagosën tre persona të tjerë, që tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në një deklaratë për shtyp Ministria e Mbrojtjes i shpreh ngushëllimet familjes së rreshterit Mekollari, i cili prej vitit 1982 deri në vitin 1989 ka shërbyer si oficer i specialitetit xhenio e më pas u riaktivizua si nënoficer.

Ndërkohë kjo ministri bën me dije se janë plagosur, por jashtë rrezikut për jetën Ilir Kurti, Drini Tiko dhe Jetmir Dedja.

Sipas MM-së Ilir Kurti ka pësuar një dëmtim shumë të lehtë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak për të marrë një mjekim më të specializuar, ndërsa Drini Tiko ka dalë nga spitali pas marrjes së mjekimit.

I plagosuri tjetër Jetmir Dedja ka marrë një dëmtim të lehtë dhe ndodhet ende në spital.

Ministria e Mbrojtjes pas shpërthimit ka dërguar helikopterë të FA-ve për të bërë evakuimin e të plagosurve përdrejt Spitalit Ushtarak, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat për nderimin e të ndjerit Agim Mekollari, i cili humbi jetën në krye të misionit të tij për asgjësimin e municioneve.

Ministria e Mbrojtjes do të nisë një hetim për shpërthimin e papritur, ndërkohë që deri në një urdhër të dytë është ndaluar procesi i asgjësimit të municioneve në poligonet e asgjësimit në shkallë vendi.

mit/NOA

KOMENTE