English

“Në Libi janë vrarë rreth 30 mijë vetë”

Libi, 28 prill, NOA - Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Libi, Gene Cretz, thotë se ka vlerësime se numri i të vdekurve, gjatë më tepër se dy muajve të luftimeve në këtë vend të Afrikës Veriore, mund të arrijë në më tepër se 30 mijë.

Ambasadori Cretz, që nga Tripoli u largua në janar të këtij viti, para krizës aktuale, u ka thënë mbrëmë gazetarëve se zyrtarët e Shteteve të Bashkuara, kanë parë të dhëna për numrin e viktimave, që sillen prej 10 mijë e deri në 30 mijë, por është vështirë të përcaktohet numri i saktë.

Mëtutje, ai ka theksuar se Uashingtoni ka konkluduar se Këshilli Kombëtar Tranzicional opozitar, me seli në Bengazi, që kontrollon territore në pjesën lindore të Libisë, e që po e krijon qeverinë, meriton mbështetje ndërkombëtare.

Administrata Obama, megjithatë, ende nuk ka vendosur nëse zyrtarisht do t’i bashkohet Francës, Italisë dhe Katarit, që e kanë njohur këshillin opozitar si qeveri zyrtare të Libisë.

NOA

KOMENTE