Shkodër, 28 prill 2011, NOA- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj u ndal në qytetet e Shkodrës dhe të Lezhës për të rekomanduar punonjësit e policisë për procesin zgjedhor.
Sipas tij, efektivët e policisë gjatë punës së tyre duhet të tregojnë përgjegjshmëri të lartë për të garantuar rendin dhe sigurisë publike si dhe një klimë të sigurt që të gjithë qytetarët të ushtrojnë lirisht e të qetë të drejtën e votës.
“Partitë politike bëjnë garën e tyre. Për ju udhëheqës është ligji dhe rregullorja. Duhet të garantojmë që qytetarët shqiptarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike të ndihen në një ambient të sigurt për ushtrimin e të drejtës së votës”, u shpreh Nishani.
Më tej ministri i Brendshëm theksoi se, punonjësit e Policisë së Shtetit duhet të ndihen edhe më shumë të motivuar nga mirënjohja, besimi dhe vlerësimi i qytetarëve dhe i opinionit publik për rezultatet e arritura, për sfidat e përballuara, për kontributin e dhënë.
Nishani vlerësoi edhe ndihmën e dhënë në përmbytjet në këto qytete si dhe për arritjet e strukturave policore në luftë kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kultivimit të bimëve narkotike.
a.y/NOA