English

Rama në Durrës: Vizioni i Dako-s perspektivë zhvillimi që s’ndalet më

Durrës, 28 prill 2011, NOA - Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, që rikandidon për një mandat të dytë në krye të bashkisë paraqiti sot përpara durrsakëve programin dhe premtimet për zhvillimin e Durrësit për vitet 2011- 2015. Në këtë prezantim nuk mungoi kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, kryebashkiaku Dako deklaroi premtimet e tij për mandatin e ardhshëm që përfshijnë më së shumti planifikimin urban, infrastrukturën, zhvillimin ekonomik lokal, turizmin dhe kulturën, kujdesin social, arsimin, mjedisin etj.

Dako shprehu krenarinë e tij që gjatë mandatit të parë arriti të realizonte premtimet e bëra në vitin 2007, premtime vende vende edhe të tejkaluara.

Ai foli për investimet e shumta të bashkisë në rrugë, kanalizime, ndriçim, sistemim trotuaresh, shtim hapësirash të gjelbra, mbjellje pemësh dekorative, rikonstruksion të akseve rrugore dhe në brendësi të blloqeve të banimit, ku sikundër tha nuk ishte vënë dorë për afro 40 vjet me rradhë.

“Qyteti i Durrësit paraqitet tërësisht i ndryshuar, modern, shumë mikpritës, i denjë për një qytet turistik”, tha Dako.

Në fushën e planifikimit urban, kryebashkiaku i Durrësit premtoi Rigjenerimin urban të zonës së Shkozetit, të ‘Durrësit të Ri’ apo siç njihet zona e ish-Kënetës, rijetësimin e qendrës historike të qytetit, integrimin e zonave të reja rezidenciale me zonat e vjetra në Porto Romano, studimin e fizibilitetit dhe rehabilitimin urban të zonës së plazhit, si dhe rikualifikimin e zonës pranë Portit, rinovimin e zonës së portit tregtar, terminalit të autobusëve dhe stacionit hekurudhor.

Këtu Dako foli edhe për projektin ambicioz Vija e kaltër, që do të rivendosë lidhjen e munguar qytet-det në Durrësi, pra zhvillimin e simboleve portuale, të cilët po shkojnë drejt zhdukjes.

Në fushën e infrastrukturës kryebashkiaku Dako premtoi ripërtëritjen e rrugëve brenda Bashkisë, përmirësimin e akseve dhe shëtitoreve, realizimin e akseve në zonën Industriale, si dhe ndërtimin e rrugëve dytësore në zonën e Spitallës dhe Porto Romanos, apo edhe Rivitalizimin e zemrës së qytetit dhe të sheshit Liria.

Ai e vlerësoi programin ambicioz të kryebashkiakut Vangjush Dako, duke nënvizuar se falë vizionit të tij, Durrësi jo vetëm që ka ndryshuar rrënjësisht, por ka siguruar edhe një perspektivë zhvillimi që nuk ndalet më.

mit/NOA

KOMENTE