English

Shpërthimi në Vlorë, policia përjashton zgjedhjet, dyshohet për hakmarrje

Vlorë, 28 prill 2011, NOA- (Update) Lidhur me shpërthimin e ndodhur mesditën e sotme në zonën e Skelës në qytetin e Vlorës ka dhënë versionin e saj zyrtar policia e këtij qyteti.

Sipas policisë, pas sinjalizimit për shpërthimin e një mjeti, menjëherë në vendngjarje janë dërguar shërbimet e policisë dhe grupi hetimor me qëllim zbardhjen e ngjarjes dhe organizimin e punës për identifikimin e kapjen e autorëve të saj.

Burime zyrtare nga policia e Vlorës, bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA se, nga hetimet e deritanishme rezulton që ngjarja ka ardhur si rrjedhojë e një hakmarrje të mundshme për veprimtarinë e viktimës Renato Abazi dhe nuk ka lidhje me procesin zgjedhor.

“Nga kryerja e veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se nga shpërthimi me lëndë plasëse, është dëmtuar mjeti Mjeti “Opel Corsa, ceturë, me targa të huaja AX 646 DT, me drejtues shtetasin Renato Abazi, i cili ka humbur jetën. Po ashtu ka mbetur i dëmtuar shtetasi Maringlen Dani, si dhe janë dëmtuar lehtë dy shtetas të tjerë, përkatësisht Gerti S. dhe Galitano Z., të cilët janë dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore pranë Spitalit Rajonal Vlorë”, thuhet në qëndrimin e policisë.

Ndërkaq mësohet se tre të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me këtë shpërthim sipas bluve të Vlorës, po punohet për gjetjen e autorëve dhe pistave të mundshme që kanë shkaktuar shpërthimin.

a.y/NOA

KOMENTE