Vlorë, 28 prill 2011, NOA- Operacioni i koduar “2 Palmat” ka vënë në pranga një hajdut bankash gjatë mesditës së djeshme në qytetin e Vlorës.
Zaim Pashaj, 22 vjeç, banues ne lagjen “1-Maji” të Vlorës është arrestuar në flagrancë si i dyshuar për vjedhjen me armë të mbetur në tentativë të bankës “Intesa San Paolo Bank”, e ndodhur në lagjen “Isa Boletini” të këtij qyteti.
Burime zyrtare nga policia e këtij qyteti thonë për agjencinë e lajmeve NOA, se Pashaj u ndalua në afërsi të kësaj banke i ishte i veshur me të zeza, ndërsa pjesën e fytyrës dhe të kokës e kishte të mbuluar dhe i dukej vetëm pjesa e syve.
Në cilësinë e provës materiale nga ana e efektivave të policisë u sekuestrua një pistoletë lodër metalike që në pamje të parë të jep përshtypjen e një arme zjarri tip pistoletë “Beretë” kalibri 9mm.
“Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” do të jetë vepra penale për të cilën do të hetohet 22 vjeçari Zaim Pashaj.
a.y/NOA