English

Basha me studentët: Arsimi profesional dhe turizmi, dy shtylla të tjera punësimi

Tiranë, 29 prill 2011, NOA- Lulzim Basha, i zgjedhuri i demokratëve për të fituar bashkinë e kryeqytetit, në vijim të takimeve elektorale është ndalur me studentët e Fakultetit Ekonomik.

“Bashkia do të ketë një rrjet informacioni online, që do të ndërlidhë kërkesën në tregun e punës të azhornuar në mënyrën më të plotë të mundshme, jo më vonë se fundi i këtij viti. Një i punësuar, 10 të punësuar, 100 të punësuar në Tiranë, janë objektivat e përditshme, përnatshme, përmuajshme të kryetarit të bashkisë. Unë kam një plan konkret për t’u marrë me këtë çështje, duke i hequr pengesat aktuale fiskale, administrative dhe infrastrukturore. Me një përllogaritje minimale modeste, ne do të çlirojmë biznesin e vogël dhe biznesin në tërësi në Tiranë, për të hapur minimalisht 4 mijë vende të reja pune”, deklaroi Basha.

Sipas tij, do të vazhdohet me një fond special garancie, duke ndjekur një përvojë të suksesshme të USAID-it dhe një pakt në tregun e punës, për hapjen e 6 mijë vendeve të reja të punës.

Lidhur me infrastrukturën, ai tha se do të jetë risia tjetër në zhvillimin ekonomik dhe në tregun e punës.

Sakaq ai tha se, mbi 5 800 vende pune do të hapen vetëm nga punimet e Unazës së Madhe, madje shtoi se arsimi profesional dhe turizmi janë dy shtylla të tjera, në të cilat do të ecet fuqishëm për të gjeneruar punësim dhe mirëqenie në qytet.

Ndër të tjera, Basha ka sqaruar edhe projektet për kartën studentore që do të vihet në dispozicion ne muajin shtator të këtij viti, ndërtimin e kampuseve universitare dhe bibliotekës, e deri tek bursat për studentët e shkëlqyer apo ata me pamundësi ekonomike.

Në përfundim, kandidati i maxhorancës u shpreh se nën drejtimin e tij, bashkia do të kthehet në një urë lidhëse mes studentëve dhe biznesit, si për praktikat, ashtu edhe për punësimin e tyre.

a.y/NOA

KOMENTE