English

Basha: Në shtator, projekt për ndërtimin e spitalit rajonal

Tiranë, 29 prill 2011, NOA- Nga zona e Kombinatit Lulzim Basha pretendenti i maxhorancës për postin e kryebashkiakut, u ka shprehur angazhimet e tij banorëve të kësaj zone.

Në një takim të zhvilluar me personat me aftësi të kufizuar ai u shpreh se, ata do të kenë vëmendjen kryesore gjatë punës së tij.

Gjatë bisedimit me banorë të tjerë të zonës, Bashës iu bë gjithashtu me dije se e vetmja fushë sporti që ka mbetur është projektuar për pallat.

“Do të kemi një politikë të veçantë për personat me aftësi të kufizuar që të jenë sa më të integruar, politikë që do të integrohet edhe në investime, do të bëhen trotuaret, do të bëhen rrugët, objektet publike, do të investohet edhe në ndihmë financiare, ju siguroj veçanërisht për persona me aftësi të kufizuar që janë dhe pensionistë. Qendra sociale do të hapen në çdo minibashki, të paktën të kaloni kohën ditore, ata që nuk kanë mundësi të rrinë dhe natën”, deklaroi kandidati i “Aleancës për qytetarin”.

Lidhur me taksën e gjelbërimit ai u shpreh se, taksa e gjelbërimit dhe taksa e tabelës, do të hiqet për bizneset ndërsa taksa e pastrimit do të ulet 3-fish.

Ai garantoi për transparencë për mënyrën se si do të shpenzohet nga bashkia çdo taksë e mbledhur nga qytetarët.

Në një takim me biznesin fason, Basha tha se në politikat e tij fiskale parashikon lehtësira të mëdha për ata që shtojnë numrin e të punësuarve.

Ndërkaq ai i premtoi sipërmarrësit se do të ketë lehtësira nga Bashkia: “Të siguroj se për 50 vende pune të reja që do të çlirosh, do të ketë prapë stimuj fiskalë, jo vitin e parë, por edhe vitin e dytë, për çdo të punësuar do të kesh një Premium, sepse punësimi për mua është numër 1”.

Më tej ai i garantoi qytetarët se do të bëhet sistemimi i ambienteve të qendrave spitalore universitare të Tiranës, përmirësimi me shpejtësi i atyre elementëve të infrastrukturës, qendrave shëndetësore, qendrave të urgjencës, ku bashkia mund të ndërhyjë vetë apo në bashkëpunim edhe me donatorët.

“Do të fillojmë duke dedikuar gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më mirë, shpejtësinë e caktuar për ambulancat dhe shërbimin e tyre, dhe do të vazhdojmë kështu në të gjitha fushat e tjera, ajër i pastër, standarde të sigurta ushqimore, trajtim bashkëkohor i mbetjeve, ujësjellës dhe kanalizim cilësor”, u shpreh Basha.

Më tej ai bëri të ditur se në shtator do të nisë diskutimet me komunitetin e mjekëve por edhe me ekspertët për të parë mundësinë e ndërtimit të një spitali rajonal.

Ndër të tjera ai veçoi se vëmendja e tij si kryebashkiak nuk do të ndalojë asnjëherë së qeni tek qytetarët dhe për ta.

a.y/NOA

KOMENTE