English

Berisha: Emigrantë kthehuni, kemi gjak europian, do e ndërtojmë Europën në shtëpitë tona

Gjirokastër, 29 prill 2011, NOA- Pasditja e sotme kreun e maxhorancës Sali Berisha e ka gjetur në qytetin e Gjirokastrës për të prezantuar kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Genci Sinoimeri.

Lideri i së djathtës, u dha fjalën banorëve se në katër vitet që vijnë, fitoren e 8 majit të këtij kandidati do shndërrohet në një sukses dhe arritje për çdo Gjirokastrit dhe Gjirokastrite.

Më tej ai shtoi se investimet në këtë qytet janë shumëfishuar, madje ai u zotua se në katër vitet e ardhshme do të investohet shumë herë më tepër në rrugë e rrugicë si dhe në gjithë trashëgiminë kulturore të qytetit.

Kryeministri Berisha theksoi së në katër vitet e ardhshme qyteti do gërshetojë modernen me trashëgiminë kulturore, do restaurojë monumentet e kulturës, teatrin, mjediset sportive dh gjithë veprat me vlerë të këtij qyteti.

“Gjirokastra këto vite njeh vitet e turizmit më të madh, ndaj unë jam këtu për tu zotuar se shumë shpejt distanca me Tiranën do jetë më pak se 2 orë dhe se rruga do kalojë nga Tepelena në Levan dhe nga Tepelena në Berat”, u shpreh kreu i qeverisë.

Ai deklaroi se Gjirokastra është vendosur në kurorën e trashëgimisë dhe pasurisë botërore.

Shefi i maxhorancës shprehu krenari dhe siguri, pasi vetëm 5-6 vite më parë trashëgohej një infrastrukturë e botës së tretë, ndërsa tashmë janë asfaltuar 8 mijë kilometra rrugë si dhe janë ndërtuar korridoret më të fuqishme të rajonit.

Vitet që do të vijnë tha ai, do të jenë të asfaltuara njëlloj si fshatrat, komunat dhe qytetet më të zhvilluara të Europës.

“Ne jemi burra dhe gra të suksesit deh të arritjeve të mëdha, pasi nëse 5 vite më parë askush nuk e kujtonte Gjirokastrën, këtë vit ajo u shpall e bukura e dheut dhe destinacioni kryesor turistik për shqiptarët”, deklaroi Berisha

Lideri i së djathtës deklaroi me bindje se askush nuk ka ndërtuar më shumë në një kohë kaq të shkurtër.

Sakaq ai përshëndeti emigrantët shqiptar dhe i ftoi ata që të kthehen në Shqipëri, për të ndërtuar së bashku vendin.

Ai bëri thirrje për të votuar kandidatin Genci Sinoimerin dhe kandidatët e “Aleancës për qytetarët”, duke thënë se nuk dua të shoh asnjë shqiptar në rrugën e vetmisë, në rrugën e së shkuarës.

“Së bashku le të bashkohemi në këtë alternativë për të lartësuar godinën evropiane, në Gjirokastër, Tepelenë e në mbarë Shqipërinë. Ne kemi gjak evropian për të ndërtuar Europën në shtëpitë tona dhe në qytetet tona. Dua të përshëndes gjithë komunitetet etnike dhe të shpreh admirimin tim më të madh, si dhe të shpreh krenarinë time për Gjirokastritët që jepni mësimin më të madh atë të bashkëjetesës me njëri-tjetrin.

“Alternativa e së vetmes rrugë është e qartë se ku e ka origjinë, por dua tu them këtyre shokëve të mos mërziten, se sot e për sa kohë që Sali Berisha të jetë në pushtet nuk do bëjë gjë tjetër veçse do mendoj, për rrugicat, vreshtat dhe për gjithçka që ka të bëjë me suksesin tuaj. Le të betohemi ne për ta bërë Shqipërionë kopshtin më të bukur dhe më madhështor në Europë”, përfundoi Kryeministri Berisha.

a.y/NOA

KOMENTE