Tiranë, 29 prill, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se projekti ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan do të krijojë tregun më të madh në rajon. “Tirana, Elbasani dhe Durrësi do të jenë një treg i përbashkët”, tha Berisha gjatë ceremonisë së inaugurimit të projektit.
Ai u shpreh se distanca e qytetit të Elbasanit për punëtorët në Tiranë, do të jetë e njëjtë me ata që “jetojnë në Kombinat dhe punojnë diku afër Spitalit Nën Tereza”.
Kreu u qeverisë u shpreh se kjo është një nga veprat më të rëndësishme që do të ndërtohet gjatë viteve të fundit dhe e kthen Tiranën në një nga metropolet më të rëndësishme të rajonit.
“Autostrada po vë, pas Rrugës së Kombit, veprën e dytë më të madhe publike që ndërtohet në historian kombit shqiptar. Kjo autostradë shkurton shpejtësi lëvizje 120 km në orë, shkurton së paku 50 minuta distancën e Tiranës me Elbasanin, shkurton në 2/3 këtë distancë dhe de fakto bën Elbasanin qytetin më të afërt me Tiranën”, tha Berisha.
Në ceremoninë e inaugurimit të punimeve, Berisha u shpreh se ndërtimi i tunelit të kësaj rruge do të sjellë mjaft përmirësime të jetës së banorëve të Elbasanit.
“Shpreh kënaqësinë e madhe se kjo pranverë e vitit 2011 në datën 29 prill shënon fillimin e shndërrimit në realitet të ëndrrës së milion e milionave udhëtarëve, të cilët të nisur drejt Tiranës, gjënë e parë që kanë imagjinuar para se të arrinin në majat e Krrabës, ishte që të kishte një tunel dhe të arrinin më shpejt në Tiranë. Kjo ëndërr nis sot shndërrimin në realitet në një hark kohor 18 mujor”, tha Berisha.
a.k/NOA