Durrës, 29 prill 2011, NOA- Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me Federatën e të rinjve Kastriotianë.
Gjatë këtij takimi Dako ka marrë mbështetjen e tyre të cilët kanë deklaruar zyrtarisht se do të mbështesin me votë të kandiduari e socialistëve në zgjedhjet e 8 majit.
Kjo mbështetje është zyrtarizuar edhe nëpërmjet një aktmarrëveshje bashkëpunimi. Për këtë qëllim kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka nënshkruar në ambientet e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” një marrëveshje bashkëpunimi me këtë Federatë, ku nënvizohet mbështetja për platformën e kësaj Federate dhe nga ana tjetër kjo organizatë deklarohet publikisht se mbështet programin elektoral dhe platformën politike të kandidatit të koalicionit “Aleanca për të Ardhmen” për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako.
“Federata do të mbështesë në votimet e 8 majit kandidaturën e Vangjush Dakos për kryetar të Bashkisë së Durrësit”, thuhet në aktmarrëveshjen zyrtare. Nga ana e tij kryebashkiaku Dako angazhohet për zbatimin e platformës së tij elektorale, e cila vlerësohet nga pjesa dërrmuese e qytetarëve Durrsakë si projekti më ambicioz për zhvillimin dhe modernizmin e Durrësit.
a.y/NOA