E premte, 29 prill 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës për të fituar bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve për ndërtimin e autostradës Tiranë- Elbasan, theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij projekti madhor për zhvillimin e qytetit të Elbasanit dhe të gjithë rajonit.
“Është shumë i mirëpritur nga të gjithë qytetarët e Elbasanit, është fillimi i një projekti të ri, është projekti i ndryshimit në Elbasan, i ndryshimeve të mëdha pozitive, është projekt i cili në Elbasan sjell zhvillim dhe punësim”, deklaroi Hushi.
Ai tha se në projektin e tij, kërkohet më shumë ritëm dhe dinamizëm, për ta përgatitur Elbasanin që ti përgjigjet ritmit që kërkon kjo rrugë.
Më tej kandidati për kryebashkiak i Elbasanit u shpreh se, ritmit me të cilin do të ndërtohet kjo autostradë, duhet ti paraprihet duke ndryshuar Elbasanin dhe duke i paraqitur kështu të gjithëve projektin, i cili parashikon jo vetëm mbajtjen e premtimeve që janë bërë në infrastrukturë, në arsim e në shëndetësi, por edhe në shpejtësinë që kërkojnë Elbasanasit për ta prekur ndryshimin.
a.y/NOA