English

Jahjaga: FSK drejt rrugës së ngritjes profesionale dhe partneritetit me NATO-n

Prizren, 29 prill 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga gjatë ditës së sotme zhvilloi një vizitë në Prizren e Pejë në komandën e doktrinës dhe stërvitjes së Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Presidentja Jahjaga, e shoqëruar nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Buhler dhe nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, kanë vizituar Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së në Ferizaj, ku trupat e KFOR-it janë të angazhuar për trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së.

Gjatë kësaj vizite, Presidentja tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është në rrugën e arritjes së kapaciteteve të plota operacionale.

Ajo tha Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së po luan një rol shumë të rëndësishëm që FSK të ketë një kapacitet të plotë dhe të jetë e përgatitur profesionalisht.

Jahjaga theksoi se i gjithë ky angazhim ka për qëllim përgatitjen dhe ngritjen profesionale të FSK-së, që ajo të jetë pjesë e partneritetit për paqe dhe pjesë aktive e NATO-s në të ardhmen. Ky është synimi dhe qëllimi ynë për FSK-në, tha ajo.

Më tej ajo vizitoi edhe Kampin fushor të KFOR-it në Prizren dhe Kampin Italian në Pejë, ku ajo u njoh me punën dhe aktivitetet e ushtarëve të KFOR-it në këto kampe si dhe nderoi ushtarët e rënë në detyrë në vitin ‘99.

Jahjaga falënderoi ushtarët e KFOR-it në për gjithë kontributin që kanë dhënë për sigurinë në vend dhe për shumë aktivitete në të mirë të komunitetit dhe komunës së Prizrenit në përgjithësi.

a.y/NOA

KOMENTE