Vizita e zotit Barroso në Shqipëri është në kuadër të një vizite që ai do të bëjë në rajon. Presidenti Barroso, ka vizituar pak kohë më parë disa vende të rajonit dhe tani do vizitojë të tjerat. Vizita në Shqipëri është e lidhur me vizitën që ai do të bëjë kësaj radhe në Beograd dhe Prishtinë. Por patjetër do të jetë një mundësi për të parë me sytë e tij, të ketë një përshtypje të drejtpërdrejtë se cila është situata në këto vende dhe sigurisht në Shqipëri. Ka shumë mundësi, që Presidenti Barroso të shoqërohet në këtë vizitë nga të gjithë ata aktorë evropianë që kanë kaluar kohëve të fundit në Tiranë, që nga Komisioneri Fyle, Lajcak dhe Sanino
Ettore Sequi flet për zhvillimet më të fundit në Shqipëri
Shqipëria dhe Bashkimi Evropian i kanë vendosur marrëdhëniet diplomatike që më 1991. Dhe aktualisht mes dy vendeve është në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, që shënoi një fazë të re në marrëdhëniet dypalëshe. Cilat janë në këndvështrimin tuaj prioritetet e Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian?
Prioritetet e bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë janë po ato që janë përcaktuar edhe në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit siç e shprehët edhe ju. Prioritetet janë të lidhura ngushtë me konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike, të lehtësimit të tranzicionit të plotë të Shqipërisë në një ekonomi tregu funksionale, në kontributin për stabilitetin politik, ekonomik dhe institucional të vendit parë edhe në një kontekst rajonal. Këto janë, siç mund ta themi, fushat kryesore të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Dhe unë mendoj se këto përbejnë edhe synimet kryesore që Shqipëria duhet t'i verë vetes në mënyrë që të arrijë integrimin evropian.
Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka përfituar shumë nga Bashkimi Evropian. Vura re një shumë mbresëlënëse, 565.7 milionë eurosh. Sipas jush, cili ka qenë ndikimi i ndihmës financiare të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe cilat kanë qenë fushat ku ju keni fokusuar ndihmën tuaj?
Keni të drejtë. Bashkimi Evropian, taksapaguesit evropianë kanë kontribuar shumë bujarisht për Shqipërinë. Sepse ne mendojmë se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një çështje shumë e rëndësishme. Dhe për t'ju ilustruar këtë mund t'ju jap disa shifra; çdo vit Bashkimi Evropian ka dhënë për Shqipërinë afërsisht rreth 100 milionë euro. Ndihma jonë ndahet më së shumti në dy degë kryesore: ndihma soft, ose ndihma institucionale është gjithçka që lidhet me mbështetjen e ngritjes së kapaciteteve, për sistemin e gjyqësorit, policisë, që janë shumë të rëndësishme. Ishte kjo ndihmë një nga arsyet pse u arrit procesi i liberalizimit të vizave. Pastaj kemi edhe ndihmën hard, mbështetjen për infrastrukturën që ka të bëjë me projekte që lidhen me furnizimin me ujë, sistemet e pastrimit të ujit të pijshëm, ndërtimit të rrugëve qytetase dhe rurale, infrastrukturës në përgjithësi.
A jeni i kënaqur nga angazhimi i administratës shqiptare dhe vënia në zbatim e këtyre projekteve nga pala shqiptare. A ka diçka që duhet ndryshuar apo përmirësuar në këtë drejtim, nga pikëpamja e rrugës së ndjekur, cilësisë, standardeve?
Kjo është një pyetje shumë e rëndësishme. Ajo që ne shohim qartësisht është entuziazëm dhe angazhim, dhe kjo është një gjë mjaft pozitive. Sigurisht që ka edhe probleme. Probleme këto që lidhen me kapacitetet absorbuese të kësaj ndihme kaq të madhe. Ka probleme që lidhen me kapacitetet njerëzore, ndryshime të shpeshta në administratën shqiptare. Në përgjithësi, unë do ta cilësoja reagimin e institucioneve shqiptare pozitiv. Është vërtet mbresëlënës entuziazmi që ata tregojnë në këtë drejtim.
A jeni të sigurt që ndihma që jep Bashkimi Evropian po shkon në drejtimin e duhur apo mos ka ndopak humbje rrugës?
Ne jemi shumë të sigurt për këtë. Ne kemi mekanizma monitorues për këtë çështje. Ne punojmë ngushtësisht me institucionet shqiptare. Unë personalisht kam filluar një tur vizitash në terren kudo ku vihen në zbatim projektet e financuara nga Bashkimi Evropian, për të parë dhe për t’u siguruar edhe personalisht, ashtu siç thatë edhe ju që ndihma po shkon aty ku duhet dhe për më tepër po përdoret ashtu siç duhet.
A i ka plotësuar Shqipëria detyrimet për vënien në jetë të 12 prioriteteve të përcaktuara në Opinionin e Komisionit Evropian dhe nëse jo, kë cilësoni ju përgjegjës për këtë?
Më lejoni në fillim të them që integrimi evropian i Shqipërisë është një objektiv kombëtar. Është e gjithë Shqipëria që po shkon drejt integrimit evropian. Opinionin e Komisionit Evropian, i bërë publik vitin që shkoi, identifikoi 12 fusha, që ne i quajmë prioritetet, në të cilat Shqipëria duhet të fokusohet më shumë dhe urgjentisht në mënyrë që të ecë përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian do të bëjë një fotografi të situatës, le të themi nga mesi i shtatorit, një fotografi që do të përkthehet në një raport progresi që do i paraqitet Këshillit. Dhe në nëntor ose dhjetor Këshilli do të shprehë mendimin e vet, nëse këto 12 prioritete janë përmbushur apo jo. Ky është një moment kritik, thelbësor, për të vlerësuar kapacitetet e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Zoti ambasador, a ka rëndësi objektivi që do të përdorni për të bërë këtë fotografi të Shqipërisë? A e keni idenë çfarë objektivi do të përdorni? Do të jetë ky objektiv me një fokus miqësor apo realist?
Do të jetë objektiv, siç në fund të fundit janë të gjithë objektivet.
Zoti Ambasador si e shpjegoni ju faktin që në 2010, për herë të parë në historinë e zgjerimit Bashkimi Evropian refuzoi aplikimin e Shqipërisë për vend kandidat në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që ishte e kundërta me Malin i Zi. Çfarë ka humbur kryesisht Shqipëria nga pikëpamja e reputacionit, kostos, ndihmës financiare apo fushash të tjera?
Realiteti është paksa më ndryshe. Ajo që Shqipëria duhet të bëjë është të punojë për 12 prioritetet e listuara nga Komisioni Evropian. Çfarë ka humbur Shqipëria? Ka humbur paksa kohë. Por më e rëndësishme është që Shqipëria të mos humbë më kohë në të ardhmen. Shqipëria është jo vetëm e angazhuar plotësisht, por unë jam i bindur që do t'ia dalë mbanë. Po sinqerisht nuk ka mbetur shumë kohë dhe kjo kohë duhet shfrytëzuar mirë. Koha që mbetet fillon që tani e deri në shtator, kur do bëhet fotografia për të cilën fola në fillim.
Në dijeninë tuaj, a është kjo hera e parë që Bashkimi Evropian në historinë e zgjerimit i thotë ndal aplikimit të një vendi për anëtarësim?
Nuk ishte një ndal. Ishte një lloj vlerësimi për të kuptuar atë që duhet bërë për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian. E përsëris që ju duhet të fokusoheni më shumë tek e ardhmja. E ardhmja do të thotë që nga sot deri në shtator ju duhet të punoni për 12 detyrat e shtëpisë për të cilat folëm. Një rezultat i qëndrueshëm duhet për këtë. Por unë besoj se ju do ia dilni mbanë.
Zoti ambasador unë personalisht mendoj se e ardhmja ndërtohet nga ajo që keni bëri në të shkuarën dhe ajo që bëni sot. Sa mendoni është ndikuar e ardhmja jone nga gabimet, vonesat, quajini si te doni, që ne po bëjmë sot?
Unë jam dakord me mendimin tuaj që e ardhmja jonë ndikohet nga e shkuara dhe e sotmja jonë. Por unë mendoj që e sotmja është e rëndësishme për të kuptuar gabimet e së shkuarës dhe që të mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Kështu që ne kemi një listë detyrash shtëpie. Le te punojmë për to.
Ju erdhët në Shqipëri me detyrën e re si Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë në një periudhë në të cilën kriza politike që nisi me zgjedhjet e 2009 arriti kulmin. Akuzat e opozitës për vjedhje të votës çuan në bojkotin e Parlamentit dhe në atë që komuniteti ndërkombëtar e quan me fjalën ngërç politik. Çfarë do të thotë fjala ngërç për ju?
Ajo që unë kuptoj është se dialogu politik duhet të rinisë sa më parë të jetë e mundur. Sepse vetëm nëpërmjet dialogut politik dhe vetëm nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta për të bërë detyrat e shtëpisë Shqipëria mund të ecë përpara në rrugën drejt integrimit evropian. Kjo bëhet mjaft e qartë nga të 12 prioritetet, bëhet mjaft e qartë nga ajo që duhet bërë për t'i plotësuar këto prioritete. Thjesht ju duhet të punoni së bashku në mënyrë që të ecni përpara.
A mendoni që ky ngërç politik ka ndikimin e vet në fushat e tjera të jetës sonë? A keni bërë ndonjë lloj vlerësimi në impaktin që ka ngërçi politik?
Nëse i hidhni një sy të 12 prioriteteve të Opinionit ka një sërë veprimesh që duhen ndërmarrë së bashku. Si për shembull miratimi i ligjeve në Parlament me shumicë të cilësuar. ..
Po si mund të arrihet kjo? Për momentin kemi një opozitë që nuk është e pranishme në Parlament, që nuk po i voton ligjet për të cilat ju flisni, ligje mungesa e te cilëve pengon reformat e nevojshme që ju kërkoni....
Unë do thosha që ajo që unë ndjej në takime, në diskutimet që kam me të gjithë aktorët politikë, është se vërej një ndërgjegjësim gjithnjë e më shumë në rritje për rëndësinë e ecjes përpara në rrugën e integrimit evropian. Po bëhet gjithnjë e më tepër e qartë që nuk ka mbetur shumë kohë. Por unë ndjehem i inkurajuar, sepse kam parë disa sinjale që më bëjnë të mendoj se po ecim në rrugën e duhur. Po cilat janë këto sinjale? Kohët e fundit Komisioneri Fule ishte këtu në Tiranë për përmbylljen e një seminari për integrimin e vendit, ku qeveria dhe opozita ishin të pranishme së bashku. Dhe një tjetër shembull, pak ditë më parë, unë mora pjesë në punimet e Komisionit Parlamentar për integrimin ku diskutuam atë që duhet bërë për të plotësuar detyrat e shtëpisë. Kështu që unë po vërej ca shenja...
A besoni ende në një dialog ndërpartiak në Shqipëri?
Unë besoj se duhet më shumë se besim, kjo është një nevojë. Është një nevojë për vendin nëse doni të shkoni në Bruksel...
Duke iu referuar këtyre shenjave pozitive për të cilat folët...mos ndoshta këto shenja jepen vetëm sepse prania juaj në këto takime ndikon në dhënien e këtyre shenjave apo sepse thjesht sepse shenjat pozitive janë aty të pranishme?
Unë mendoj se ekziston një ndërgjegjësim i sinqertë për rëndësinë e çuarjes së vendit drejt Evropës. Siç e theksoi edhe komisioneri Fule, gjatë vizitës së tij në Tiranë, integrimi është një objektiv kombëtar për Shqipërinë. Ai nuk është objektiv i njërës palë apo tjetrës. Ai është objektiv kombëtar. Dhe po kuptohet si i tillë gjithnjë e më shumë.
Ju erdhët në Shqipëri dy ditë para një dite të vështirë për shqiptarët, 21 Janarit. Si shpjegohet që Bashkimi Evropian ka pasur një qëndrim mjaft të prerë kundër vrasjes së protestuesve në Tunizi dhe Egjipt, kurse për vrasjen e katër protestuesve në Tiranë deklarata ishte paksa e zbutur. A mendoni që ky qëndrim përbën një standard të dyfishtë për të promovuar demokracinë dhe të drejtat e njeriut?
Unë besoj se ju jeni një gazetare profesioniste dhe se ju keni lexuar të gjitha deklaratat që janë bërë nga unë personalisht së bashku me ambasadorin amerikan, ambasadorin e OSBE-së po atë ditë së cilës ju i referoheni, deklaratave të bëra në Bruksel nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Baronesha Ashton dhe Komisioneri Fule. Unë nuk besoj se ne e kemi nënvleftësuar rëndësinë e humbjes së jetëve njerëzore.
Unë besoj se ju e njihni shumë mirë Shqipërinë dhe shqiptarët falë edhe detyrës suaj të mëparshme, dhe për këtë do të flasim më vonë, por do doja të ngelesha përsëri në të njëjtën pyetje. Siç edhe ju jeni mjaft mirë në dijeni të dy palët në Shqipëri, koalicioni qeverisës dhe opozita po akuzojnë njëra-tjetrën mjaft rëndë dhe ekziston një opinion i mjegullt në publik se çfarë po ndodh, se kush është fajtori, kush po i bën gabimet në këtë situatë. A nuk mendoni se do të ishte më mirë për Bashkimin Evropian si faktor i jashtëm dhe si një mik i Shqipërisë, të shmangte deklarata neutrale dhe të ishte më i qartë dhe më i drejtpërdrejtë në deklaratat e tij.
Unë mendoj që Bashkimi Evropian është mjaft i qartë në deklaratat e tij, sepse këto deklarata janë të bazuara në vlera, janë të bazuara në gjykime objektive, sepse janë të bazuara në atë që ne besojmë është me e mira në interes të vendit. E përsëris edhe një herë, unë besoj se Bashkimi Evropian është shumë i qartë në atë që thotë.
Unë besoj, dhe ky nuk është vetëm perceptimi im, se shqiptarët nuk po e kuptojnë qartë se kush është përgjegjës për situatën aktuale dhe ata duan ta dine të vërtetën. Ata duan të dinë, pse po ndjekin këtë rrugë dhe pse nuk janë më të shpejtë në këtë rrugë?
Po, por nuk i takon një të huaji të gjejë një përgjigje për këtë. Nuk na takon ne të bëjmë arbitrin. Ne jemi këtu për të kryer një tjetër detyrë, për ta ndihmuar Shqipërinë të ecë përpara në rrugën drejt integrimit evropian. Shqiptarët, të gjithë duhet ta kenë të qartë që kjo është puna juaj, është vendi juaj, është e ardhmja juaj, është përgjegjësia juaj.
Zoti Ambasador, tani do të flasim për një çështje mjaft të nxehtë për momentin në Shqipëri, zgjedhjet, 8 majin. Por ne ende nuk kemi zgjidhur problemet që u identifikuan nga OSBE-ODHIR pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2009. Gjithsesi, komuniteti ndërkombëtar ka theksuar se ky kuadër ligjor që kemi, krijon mundësi për proces të lirë dhe të ndershëm. Cili është opinioni juaj për këtë?
Unë do t’i referohesha asaj që një ndër autoritetet në procesin e zgjedhjeve, Ambasadorin Vollfarth ka thënë kohët e fundit, se kuadri ligjor aktual mund të bëjë të mundur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Problemi qëndron në zbatimin siç duhet të këtij kuadri ligjor. Ajo që do doja të theksoja, është se një ndër detyrat e shtëpisë më të rëndësishme, është prioriteti i pestë i Opinionit, ai që i referohet zgjedhjeve. Është e rëndësishme që zgjedhjet të mbahen sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Ky është një ndër nga prioritetet kyçe më thelbësore. Shqipëria e ka mundësinë që nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, të tregojë pjekurinë, të tregojë maturinë që pritet prej saj.
A do të ndikohet procesi i integrimit nëse këto zgjedhje do të kenë probleme?
Do doja t’ju falënderoj për këtë pyetje, sepse më jep mundësinë që t’i referohem fjalëve të Komisionerit Fule, kur foli mbi këtë çështje gjatë vizitës së tij të fundit në Shqipëri: “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë një e drejtë themelore e qytetarëve shqiptare. Shqipëria nuk mund ta humbë mundësinë që të tregojë se mund të mbajë zgjedhje sipas standardeve ndërkombëtare dhe evropiane. Nëse për këtë nuk gjendet një zgjidhje, atëherë Komisioni Evropian nuk do mund të bëjë një vlerësim pozitiv. Sepse kjo është një nga prioritetet kyçe të Opinionit, një nga më të rëndësishmet.
Unë personalisht kam pasur gjithmonë problem me gjuhën e Brukselit...nuk do të ketë një impakt pozitiv...pse nuk thoni do të ketë impakt negativ zoti Ambasador?
Siç e thatë edhe ju, kjo është gjuha jonë, gjuha e Brukselit. Në çdo rast, kjo fjali tregon pritshmëritë e vërteta që ne kemi, që Brukseli, dhe jo vetëm, ka që zgjedhjet vendore të mbahen në mënyrë dinjitoze dhe të civilizuar, sipas standardeve ndërkombëtare.
Jam e sigurt që ju keni pasur një axhendë mjaft të pasur këto ditë për t’ju dhënë mesazhin tuaj aktorëve politikë që do marrin pjesë në zgjedhjet vendore javën që vjen. Cili është mesazhi që po u jepni partive politike?
Mesazhi që u jap aktorëve politikë është: përpiquni të bëni më të mirën në mënyrë që të siguroni që procesi të jetë i civilizuar, në mënyrë që procesi para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Dhe kësaj thirrje për aktorët politikë, do doja t’i shtoja: bëni atë që mundni, që mbështetësit tuaj të distancohen nga dhuna.
Ju keni qenë gjithashtu mjaft aktiv edhe në takimet tuaja edhe me administratorët lokale të zgjedhjeve, ata që janë përgjegjës për procesin. Cili është mesazhi juaj për ta?
Ju përdorët një fjalë të rëndësishme; procesin. Mesazhi im është ky: Sigurohuni që procesi të jetë korrekt. Të jetë një proces që siguron një gjë të një rëndësie thelbësore për mendimin tim, që vullneti i vërtetë i votuesve të pasqyrohet tek rezultati. Sepse kjo do të thotë që procesi është i drejtë.
Çfarë do t’u thonit votuesve shqiptarë, sepse edhe ata kanë përgjegjësinë e tyre në këtë proces, apo jo?
Qytetarëve shqiptarë do t’u thosha, votoni, bëni që zëri juaj të dëgjohet.
Si do ta ndiqni ditën e zgjedhjeve? A do jeni në Tiranë?
Personalisht?
Po personalisht.
Po do të jem në Tiranë, po ndoshta edhe diku tjetër. Do të vizitoj disa qendra votimi, nuk e kam përcaktuar ende se ku, po sigurisht që bashkë me stafin tim do ndjek nga afër ditën e zgjedhjeve. Ne duam të kemi një përshtypje të drejtpërdrejtë, të dorës së parë për ditën e zgjedhjeve.
A do të monitorojë zyrtarisht Bashkimi Evropian këto zgjedhje dhe gjithashtu a do të dalë me një raport për këto zgjedhje?
Kjo detyrë i përket ODHIR. ODHIR është i ngarkuar zyrtarisht për monitorimin e zgjedhjeve dhe për të nxjerrë një raport vlerësimi për to. Më duhet të them se ODHIR ka eksperiencë të gjatë në Shqipëri, që shefi i misionit të ODHIR është një ekspert i jashtëzakonshëm dhe shumë i mençur i zgjedhjeve. Për sa i përket Bashkimit Evropian, ne do të kemi një vizitë të një delegacioni të vogël deputetësh të Parlamentit Evropian që do monitorojnë disa nga qendrat e votimit.
Por unë jam e sigurt që ju do thoni fjalën tuaj në fund të procesit, në vijim të raportit të ODHIR...
Sigurisht që ne do të kemi një vlerësim për zgjedhjet që do bazohet mbi raportin e ODHIR. Dhe raporti i ODHIR do jetë pjesë e raportit tonë vjetor, që do të kontribuojë për të bërë atë fotografinë për të cilën fola në fillim.
Cilat do të jenë standardet që këto zgjedhje të konsiderohen të lira dhe të ndershme? Cili është limiti. Sa tolerant do jeni ju kundrejt gabimeve, kundrejt akuzave për vjedhje të votës, siç kemi pasur edhe në të shkuarën?
Më lejoni të them që standardet ndërkombëtare i referohen standardeve të vendosura nga OSBE-ODHIR. Ato janë të njohura tashmë, por nëse do ta përmblidhja me pak fjalë kuptimin e tyre, do të thoja që duhet të sigurohemi që vullneti i vërtetë i votuesve të reflektohet tek rezultati. Sa tolerantë duhet të jemi? Mendoj se ne duhet të jemi objektivë.
Po nëse realiteti nuk është dhe aq i mirë?
Në konferencën time të parë për shtyp kur erdha në Shqipëri, një nga kolegët tuaj më kërkoi të bëja një parashikim.
Rreth rezultatit?
Jo
Rreth procesit?
Jo rreth një tjetër çështje. Dhe përgjigja ime ishte më e sinqerta e mundshme. Nëse më lejohet të citoj veten time, unë u përgjigja që nuk jam Nostardamus. Unë preferoj të vlerësoj realitetin, nuk më pëlqen të jap vlerësime mbi hipoteza.
A përbën për ju shqetësim që ndonjëra parti apo tjetra do të jetë problematike ditën e zgjedhjeve apo të nesërmen e zgjedhjeve?
Sinqerisht, shqetësimi im i vetëm do të ishte nëse procesi nuk do të përmbyllej në përputhje me standardet ndërkombëtare, sepse sigurisht që kjo do të reflektohej në progres raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë.
Ju kam parë kohëve të fundit edhe në disa paraqitje televizive, aspak të vetëm, por në shoqërinë e Ambasadorit Amerikan, atij të OSBE në Tiranë, të angazhuar në atë që në zhargonin gazetaresk kemi nisur ta quajmë trojka...A është ky një vendim juaji që keni ndërmarrë për të qenë të bashkuar në mesazhet tuaja drejtuar politikës shqiptare?
Para së gjithash, do doja të theksoja dy gjëra, nuk kam qenë vetëm, siç nuk jam edhe tani. Së dyti, ju përmendët fjalën trojka; kjo është një risi për mua. Kam dëgjuar përcaktime të tilla si, tre tenorët, tre mosketierët...do t’ia shtoj këtë përcaktim të fundit listës së parë.
Dhe për të folur më seriozisht...
Duke iu kthyer thelbit të pyetjes, me dy ambasadorët që përmendët, ne ndajmë, jo si individë, por si anëtarë të komunitetit ndërkombëtar, një sërë vlerash, ne ndajmë një sërë opinionesh dhe ne mendojmë se duhet të shprehemi që mbështesim një proces korrekt, që mbështesim zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kështu me radhë. Mendoj se është e rëndësishme që të bëjmë të ditur, se komuniteti ndërkombëtar ka një sërë vlerash të përbashkëta dhe se do të ishte e nevojshme që shqiptarët ta dinë këtë.
Po si po reagojnë aktorët politikë shqiptarë ndaj këshillave tuaja?
Pikë së pari nuk do më pëlqente t’i quaja këshilla. Do parapëlqeja të përdorja fjalën opinion, mendim. Opinione është fjala e duhur. Më lejoni t’ju them diçka, unë jam surprizuar nga vëmendja dhe interesi me të cilin aktorët politikë shqiptarë dëgjonin opinionet tona. Dhe unë mendoj se ky është një sinjal mjaft i mirë, parë edhe nga pikëpamja e përgatitjes se progres raportit, sepse tregon se është kuptuar gjithnjë e më shumë se çuarja përpara e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, është një prioritet kombëtar dhe është një proces gjithëpërfshirës.
Në Progres Raportin e vitit 2010 të hartuar prej jush, korrupsioni përmendet si një ndër problemet kryesore me të cilat vendi duhet të përballet në mënyrë të menjëhershme. Dhe një nga fushat e përmendura ishte korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Çfarë duhet të bëjë Shqipëria që të ketë sukses në luftën kundër korrupsionit?
Pikë së pari, duhet një plan antikorrupsion. Në vijim doja të theksoja tre gjera; e para; zbatim, e dyta; zbatim, e treta; zbatim. Dhe të kemi një ecuri të qëndrueshme në hetimin e rasteve të korrupsionit.
A shihni vullnetin e duhur tek politika dhe administrata shqiptare për të luftuar korrupsionin?
Po, e shoh.
Po atëherë pse nuk kemi rezultate të shkëlqyera?
Mendoj se ky është një nga ato probleme që nuk zgjidhen për 5 minuta. Për këtë kërkohet vënie në jetë dhe këmbëngulje.
Shumë nga shqiptarët e kanë perceptuar integrimin në Bashkimin Evropian si një mundësi për të lëvizur lirisht në vendet anëtare të BE, dhe unë besoj se ju e kuptoni mirë këtë perceptim, sepse i keni parë vetë radhët e gjata para dyerve të Ambasadës Italiane për një vizë. Tani që liberalizimi i vizave, ndodhi, cili është niveli i ndikimit që Bashkimi Evropian ka mbi Shqipërinë?
Liberalizimi i vizave ishte një hap shumë i rëndësishëm. Ju keni të drejtë, unë i mbaj mend shumë mirë radhët e gjata para ambasadave dhe konsullatave për një vizë dhe më kujtohen shumë histori të trishtueshme. Por, liberalizimi i vizave është veçse një hap në integrimin e vendit. Unë mendoj se forca shtytëse në çdo rast është atje. Po në fund të fundit, çfarë është procesi i integrimit në vetvete, është një proces që mund ta përdorni për të përmirësuar jetën tuaj. Po t’i hidhni një sy listës së prioriteteve kyçe të përcaktuara në Opinion, çfarë është kjo listë? Nëse kjo listë me prioritete vihet në jetë, ajo thjesht përmirëson jetën e njerëzve. Dhe kjo është forca lëvizëse e BE.
Sipas Opinionit të Komisionit Evropian, Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme të përafrojë legjislacionin e saj me atë të Bashkimit Evropian dhe ta verë atë në zbatim. Po si mund të jetë kjo e mundur në kuadrin e klimës politike aktuale në vend?
Kjo është arsyeja pse unë them që duhet rinisur dialogu politik, që do të mundësojë pikërisht atë për të cilën ju po flisni. Sinqerisht, unë shoh një ndërgjegjësim të përgjithshëm që kjo është një përpjekje e rëndësishme. Dhe ky ndërgjegjësim, në pikëpamjen time, po rritet konsiderueshëm. Cila është shpresa që kjo do të arrihet. Unë jam një njeri i shpresës. Dhe shpresa ime ushqehet. Ajo që do doja të theksoja është se ju nuk duhet të humbisni më kohë, sepse shtatori vjen shumë shpejt.
A mendoni që Shqipëria ka ende shpresë?
Siç edhe e thashë, unë jam njeri i shpresës.
Dhe kjo ka vlerë edhe për Shqipërinë?
Unë mendoj se shqiptarët janë njerëz aq të zgjuar, sa të kuptojnë se rruga drejt Evropës është e rëndësishme.
Ju keni punuar dhe jetuar në Shqipëri më parë, duke punuar për Ambasadën Italiane. A mendoni se kriza aktuale politike, është një deja-vu për ju?
Nëse pyetja lidhet ngushtësisht me krizën politike, mund të them se çdo vend ka krizën e vet politike. Por nëse pyetja ka të bëjë, dhe shpresoj të jetë e tillë, me ndryshimet dhe ngjashmëritë që gjej tek Shqipëria sot me atë që kam lënë gjatë misionit të parë, përgjigja është po, gjej ngjashmëri dhe ndryshime. Ndryshimet; kujtoj që më duhej trefishi i kohës për të shkuar në Vlorë e Shkodër, kujtoj radhët e gjata të shqiptarëve në dyert e ambasadave për viza, kujtoj për shembull aeroportin e asaj kohe, kujtoj se të rinjtë në atë kohë studionin dhe planifikonin të ardhmen e tyre me më pak shpresë se sot. Por gjej edhe diçka që nuk ka ndryshuar, diçka për të cilën i jam shumë mirënjohës Shqipërisë, ngrohtësinë me të cilën u prita kur mbërrita këtu. Ishte një kohë mjaft e vështirë. Dhe kjo ngrohtësi më shtyu ta shtyj qëndrimin tim këtu gjithnjë e më shumë dhe në misionin tim të mëparshëm unë qëndrova për pesë vite në Shqipëri, që është shumë e pazakontë për këtë natyrë pune. Gjej të pandryshuar marrëdhënien me njerëzit. Sot gjej të njëjtët miq, me të njëjtën miqësi që kanë pasur me mua edhe asokohe. Dhe nëse me lejohet të bëj një shënim personal këtu, mund të them se ndjehem mjaft mirë në Shqipëri.
Si e mbani mend misionin tuaj të parë në Shqipëri duke punuar për Ambasadën Italiane? Në atë kohë, Ambasador i Italisë ishte Ambasadori Bova, nëse nuk gabohem.
Do doja të ndaja diçka shumë personale në këtë moment. Unë nuk do të isha sot këtu, duke u intervistuar prej jush, nëse Ambasadori Bova nuk do më kishte bindur që të vija në Shqipëri, në një kohë kur askush nga koleget e mi nuk donte të vinte në Shqipëri. Dhe ishte edhe një tjetër person, që në mënyrë sharmante, luajti rolin e vet për të më bindur të vija në Shqipëri. Ishte bashkëshortja e zotit Bova. Dhe unë do doja ta përkujtoja atë sot, sepse ajo na la tre dite më parë...
Ngushëllime Zotit Bova për humbjen e tij...
Ndërsa po kërkoja informacione për këtë intervistë me ju, lexova një artikull të një kolegu italian që shkruante: “një ndër diplomatët më të mirë italianë është emëruar, shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri”. Si ndodhi që ju e morët këtë detyrë?
Ju betohem që nuk e kam paguar kolegun tuaj për këtë përcaktim.
Epo kam edhe ca kolegë bujarë rreth e rrotull botës...Ndoshta ishte me të vërtetë një kompliment, por unë me të vërtetë besoj në të dhe për më tepër kam të tjerë artikuj që mund t’jua tregoj më vonë që flasin në të njëjtën formë për ju... Po si ndodhi që ju aplikuat përsëri për një detyrë në Shqipëri?
Faleminderit për këtë pyetje. Me të vërtetë është një histori interesante. Përfundova mandatin tim në Afganistan, ku isha në fillim përfaqësues i Javier Solanës dhe për një tjetër periudhë kohe përfaqësues i Zonjës Ashton. Pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës, një numër postesh në krye të Delegacioneve të Bashkimit Evropian ishin të hapura për shërbimet diplomatike të vendeve anëtare të BE. Me nxitën të paraqes aplikimin tim për Tiranën. Dhe më duhet të them, që ishte një proces mjaft i komplikuar. Pati 30 aplikime për postin e shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, përfshirë edhe disa ambasadorë që kishin shërbyer më parë në Tiranë. Kjo do të thotë, që Shqipëria është një vend mjaft popullor për komunitetin diplomatik. Pastaj shqyrtimit të cv-ve dhe disqeve ne mbetëm 12. Të 12 kandidatët kaluan në analizën e një paneli prej 8 vetësh. Për këtë të them të drejtën m’u desh të studioja shumë. Në fund mbetëm 2, që u intervistuam nga Baronesha Ashton. Kur ajo më pyeti pse isha njeriu i duhur për Shqipërinë, unë iu përgjigja se nuk e dija nëse isha njeriu i duhur për këtë pozicion në Tiranë, por ajo që di është se e dua këtë detyre, sepse është plot sfida dhe sepse kërkon angazhim dhe përkushtim. Dhe kështu ajo u bind...
Po çfarë ju bindi ju ta pranoni këtë detyrë? Ju thatë që ju nxitën? Çfarë ju nxiti? Kujtimet?
Siç edhe e kam thënë, mua më pëlqen shumë ky vend. Dhe këtë nuk e them që t’ju bëj ju të ndiheni mirë tani. Më pëlqejnë shumë njerëzit këtu. Dhe mendova që do të jepja ndihmën time në rrugën tuaj drejt Evropës. Por siç e thashë edhe më parë, përgjegjësia është juaja, unë veçse mund t’ju ndihmoj.
Ndoshta tani po ju drejtoj pyetjen më të vështirë për ju. Por do ta them gjithsesi...Si do ta përshkruanit me një fjalë Shqipërinë?
Vibruese, e gjallë.
A mund ta shtjelloni pak?
Por duhej të ishte një fjalë.
Ajo ishte tjetër pyetje...
Vibruese sepse e shoh si një vend me shumë energji, një vend që ka vuajtur shumë dhe meriton një jetë dhe një të ardhme më të mirë veçanërisht për brezat e rinj. Unë e ndjej rreth meje gjithë këtë energji. Dhe është kjo që më bën të besoj se pavarësisht nga koha e shkurtër që ka mbetur nga ky moment deri në shtator, ju do jeni në gjendje t’i kryeni detyrat e shtëpisë.
E shoh se për ne afati i fundit është 8 maji, kurse për ju shtatori, besoj në atë kohë do bëhet vlerësimi zyrtar për Shqipërinë...
Kjo do të thotë që në shtator ne do të bëjmë një foto të vendit, po deri atëherë ju keni ende kohë për të bërë detyrat e shtëpisë.
A do të ketë ngjyra vjeshte kjo foto?
Le të shpresojmë me një promovim.
Unë kam takuar miqtë tuaj zoti Ambasador, miqtë tuaj shqiptarë. Ata kanë dy fjalë për ju, dy fjalë të mira, sepse janë miq dhe do ta filloj me Anila Godon, ish Ministren e Shëndetësisë, si ju kujton ajo ju... Zonja Godo ishte një mikeshë e mirë?
Shumë bujare, tepër bujare do të thoja.
Kam takuar edhe ish Presidentin e Republikës, Z. Alfred Moisiu. Jam e sigurt që ju e keni takuar kur ishit në Shqipëri më parë. Po si e mbani ju mend Presidentin Moisiu?
Presidenti Moisiu ka qenë gjithmonë shumë i sjellshëm me mua. Dhe një nga momentet më të vështira për numrin dy të ambasadës janë kur të bie radha të drejtosh ambasadën dhe në këto momente, Presidenti Moisiu, është treguar shumë i gatshëm të më japë këshilla, të më ndihmojë në ato momente të vështira për një zëvendës.
Ne kemi takuar edhe një tjetër nga miqtë tuaj. Ai është piktor, quhet Zef Shoshi. Më kanë thënë që ju jeni i dashuruar me artin. Ju pëlqen vetëm piktura apo arti në përgjithësi?
Po. Më pëlqejnë muzika, piktura, letërsia, sepse besoj që janë forma më e mirë e shprehjes së njerëzimit.
A i bini ndonjë vegle muzikore?
Jo, sepse më pëlqen muzika.
Dhe keni frikë mos e prishni?
Kam frike mos e prish.
Më bëri shumë përshtypje që telefonata e parë që bëtë sapo mbërritët në Shqipëri ishte për zotin Shoshi. Pse?
Për shumë arsye. Sepse ai është një mik i ngushtë. Së dyti sepse e vlerësoj shumë si person, është një zotëri i vërtetë. Dhe së treti sepse u ndjeva pak në faj. Kur u emërova në Afganistan, hoqëm dorë nga një projekt që kishim planifikuar së bashku. Doja ta çoja tek vendlindja ime, në Sardenjë, sepse në punët e tij njoha shumë fytyra që më ishin shumë familjare, shumë fytyra shqiptarësh më kujtojnë njerëzit e Sardenjës. Nuk arritëm ta bënim këtë projekt, ndaj dhe kjo telefonatë ishte paksa një lutje për ndjesë.
Ju thatë që e doni artin. Po tjetër? Sportet? Ne kemi takuar një trajner të vërtetë, trajnerin tuaj të tenisit, Shpendin. A luani shpesh tenis, apo ndonjëherë për të shkarkuar tensionin?
Po përpiqem të rikuperoj kohën e humbur, sepse siç e merrni me mend në Afganistan nuk ishte dhe aq e lehtë të luaje tenis. Edhe Zoti Shpendi, është shumë bujar me mua, nuk është se unë jam aq i mirë sa thotë. Përsëri ai është një ndër personat që unë e vlerësoj veçanërisht sepse është një zotëri i vërtetë. Tani ju mund ta kuptoni vetë pse jam kaq i lidhur me Shqipërinë.
A mund të qëndrojmë për pak çaste në profilin tuaj personal që po përpiqemi të skicojmë?
Sigurisht.
Si ishte Afganistani? Cili ka qenë perceptimi juaj gjithashtu si një ndër lojtarët e rëndësishëm atje?
Diçka që kam mësuar në Afganistan është brishtësia e jetës njerëzore. Që më bën ta shoh jetën në një tjetër perspektivë. Unë personalisht kam qenë në shënjestër, kam parë njerëz që njihja të vdisnin, kam parë trupa pa jetë edhe të miqve të mi. Kështu ka qenë një eksperiencë e rëndësishme nga ana njerëzore. Kam parë shumë njerëz të vuajnë me shumë dinjitet. Ajo që mësova është se jeta njerëzore duhet ruajtur dhe ju duhet t’i gjykoni njerëzit jo sepse janë të pasur apo të varfër, por nga ajo që janë brenda shpirtit të tyre. Kam takuar aq shumë njerëz tepër të varfër, në kushte të tmerrshme, por me një dinjitet të rrallë.
A ishit i frikësuar për jetën tuaj në Afganistan?
Sinqerisht jo. Atje mësohesh me situatën. Në përgjithësi jo. E vetmja herë kur kam qenë pak i shqetësuar, ka qenë kur po bënim një fluturim taktik. Një fluturim taktik është kur në zbritje kërkon t’i shpëtosh raketave.
Falë Zotit manovra ka qenë e suksesshme..
Siç edhe mund ta shihni
Meqë jemi në shtëpinë e medias, do doja ta mbyllja intervistën me një pyetje që lidhet me lirinë e medias. A keni një koment për këtë?
Mund të përsëris atë që Komisioneri Fule tha kur erdhi në Tiranë: “Liria e shprehjes dhe për rrjedhojë edhe liria e medias, bën pjesë në kriteret e Kopenhagenit, në kriterin politik, që janë një shtyllë e rëndësishme e procesit të integrimit. Bashkimi Evropian është shumë aktiv në promovimin dhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes. Ne kemi bërë shumë deklarata në këtë drejtim, kemi marrë një sërë nismash, për shembull, Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, kanë dhënë komente dhe këshilla të përbashkëta mbi projektligjin mbi radion dhe televizionin. Ne kemi inkurajuar në forma të ndryshme pavarësinë e televizionit publik dhe të KKRT-së. Ne kemi mbështetur, për shembull, konceptin e transparencës së pronësisë në media. Dhe do doja të theksoja se çfarë është e rëndësishme për Bashkimin Evropian në këtë koncept. Kohët e fundit, presidenti Barroso, në një vizitë të kohëve të fundit në rajon, 10 ditë më parë, theksoi në mënyrë elokuente nevojën për mbrojtjen e lirisë së shprehjes në veçanti në vendet e Ballkanit. Dhe në vijim të kësaj vizite, Komisioneri Fule ka hedhur idenë e organizmit të një konference të nivelit të lartë për lirinë e medias.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian nënvizon se ndikimet politike në media kanë krijuar kushte për raportim të njëanshëm dhe vetëcensurë të gazetarëve dhe sigurish mungesë të pavarësisë editoriale. A i ndani ju këto shqetësime dhe a po punoni ju për t’i zgjidhur këto probleme së bashku me median shqiptare apo aktorë të tjerë?
Do doja të jepja një përgjigje dykahëshe. Këto probleme janë pjesë e Opinionit dhe si të tilla janë çështje të cilat duhen trajtuar sa më parë në këndvështrimin e Progres Raportit të këtij viti, atij fotografimit që folëm në muajin shtator dhe unë personalisht kam planifikuar të vizitoj të gjitha mediat, në mënyrë që të vendos një marrëdhënie të frytshme dhe transparente dhe për të treguar se me sa shumë vëmendje e sheh Evropa këtë sektor.
A keni dëgjuar kohëve të fundit në fushatën elektorale, për kasetat, për materialet e para montuara që partitë politike i dërgojnë mediave? Dhe disa prej këtyre të fundit, Ora News ishte e para, kanë refuzuar t’i transmetojnë.
Në këtë çështje do doja t’i kthehesha asaj që Ambasadori Vollfarth theksoi në një rast tjetër, që ekzistojnë rregulla, dhe unë do ta shihja në këtë këndvështrim, nëse ka rregulla dhe ligje atëherë ato duhen zbatuar siç duhet.
Vizita e zotit Barroso në rajon dhe më 21 maj në Tiranë. A ka lidhje kjo vizitë me zgjedhjet tona?
Jo. Vizita e zotit Barroso në Shqipëri është në kuadër të një vizite që ai do të bëjë në rajon. Presidenti Barroso, ka vizituar pak kohë më parë disa vende të rajonit dhe tani do vizitojë të tjerat. Vizita në Shqipëri është e lidhur me vizitën që ai do të bëjë kësaj radhe në Beograd dhe Prishtinë. Por patjetër do të jetë një mundësi për të parë me sytë e tij, të ketë një përshtypje të drejtpërdrejtë se cila është situata në këto vende dhe sigurisht në Shqipëri. Ka shumë mundësi, që Presidenti Barroso të shoqërohet në këtë vizitë nga të gjithë ata aktorë evropianë që kanë kaluar kohëve të fundit në Tiranë, që nga Komisioneri Fyle, Lajcak dhe Sanino.
A ju ka mësuar Shqipëria diçka? A mos vallë ju ka mësuar Shqipëria të mos flisni për politikanët shqiptarë në intervista, apo thjesht të jeni të kujdesshëm në deklaratat tuaja?
Në deklaratat e mia unë përpiqem të jem i sinqertë më tepër se sa i kujdesshëm. Mund të thoja që ndjehem akoma student, jam akoma në procesin e nxënies. Nëse ju do të më intervistonit përsëri në të ardhmen, ndoshta atëherë do të isha në gjendje t’ju thoja se çfarë po mësoj ndërkohë.
FUND