Uashinton, 29 prill, NOA - Presidenti Barak Obama emëroi Leon Panetën në krye të Departamentit të Mbrojtjes dhe gjeneralin Dejvid Petreus drejtor të CIA-s.
Paneta aktualisht drejton Agjencinë Qëndrore të Inteligjencës, CIA, derisa gjenerali Petreus komandon trupat amerikane në Afganistan.
Paneta do të marrë drejtimin e Pentagonit në muajin qershor, që është dhe koha e largimit të sekretarit aktual të Mbrojtjes, Robert Gejts. Gejts ka qenë në këtë post që nga viti 2006, kur është zgjedhur nga presidenti Bush.
Gjenerali Xhon Allen do të zëvendësojë Petreusin në Afganistan. Allen ka komanduar forcat amerikane në Anbar të Irakut në vitin 2006-2007. Gjatë komandës së tij udhëheqësit fisnorë sunitë ndërruan qëndrim duke u rreshtuar me trupat amerikane në luftë kundër Al Kaidës.
Gjenerali Petreus, i cili u paraqit me presidentin Obama, tha se ishte "optimist i përmbajtur" rreth zhvillimeve në Afganistan.
"Derisa kthehem në Afganistan jam optimist i përmbajtur rreth ecurisë së misionit dhe ekipit të jashtëzakonshëm civil e ushtarak që presidenti do të emërojë në drejtimin e misionit. Nuk mund të mendoj për dikë më të përshtatshëm se gjenerali Allen dhe ambasadori Kroker", tha Petreus.
NOA/FRE