E premte, 29 prill 2011, NOA- Ministri i Brendshëm Bujar Nishani gjatë ditës së sotme mori pjesë në forumin, e Iniciativës Rajonale të Migracionit, Azilit dhe Refugjatëve (MARRI).
Në pozicionin e drejtuesit të forumit, ai falenderoi drejtorin e Qendrës Rajonale MARRI-t Zotin Trpe Stojanovski dhe bashkëpunëtorët e tij, të gjithë përfaqësuesit e shquar të vendeve anëtarëve të MARRI-t, si dhe përfaqësuesit e vendeve dhe organizatave partnere, për praninë e tyre dhe mbështetjen në zhvillimin dhe arritjen e qëllimeve të MARRI-t.
“Kthimi i qëndrueshëm i refugjatëve dhe i personave të zhvendosur, miratimi dhe nxjerrja e legjislacionit kundër diskriminimit në çështjet e azilit dhe migracionit, duke siguruar harmonizimin dhe liberalizimin e politikave të vizave në kontekstin e " Kufij të hapur por të sigurtë, në rajon", janë tashmë pjesë e angazhimeve tona dhe axhendave të përbashkëta, në kuadrin e Iniciativës Rajonale të Migracionit, Azilit dhe Refugjatëve”, u shpreh Nishani.
Ai theksoi se është i domosdoshëm dialogu, madje tha se nismat e përbashkëta do të garantojnë një stabilitet të gjatë dhe zhvillimi dinamik në Evropën Juglindore.
Më tej Nishani veçoi, rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e migrimit, azilit, kthimit të refugjatëve, menaxhimit të kufijve, regjimit të vizave dhe bashkëpunimit në aspektin konsullor ku theksoi angazhimin e Shqipërisë në drejtim të përcaktimit të nevojave, interesave dhe shqetësimeve të Shteteve Anëtare të MARRI-t gjatë punës me këto çështje të rëndësishme.
Sakaq ministri i Brendshëm deklaroi: “Më lejoni të përgëzoj të gjithë Shtetet Anëtare të MARRI-t për progresin e bërë në politikën e vizave dhe sigurinë e dokumenteve dhe sidomos, për liberalizimin e vizave në hapësirën e Shengenit për të gjitha Shtetet Anëtare të MARRI-t. Në dritën e këtyre zhvillimeve pozitive, perspektiva e lëvizjes së qytetarëve në hapësirën e të gjithë vendeve tona, duke përdorur vetëm letërnjoftime biometrike, si një prioritet i Presidencës shqiptare të MARRI-t, po duket gjithnjë e më shumë realiste”.
Sipas tij, shkëmbimi i informacionit midis anëtarëve të MARRI-t në luftën kundër këtij lloji krimi të organizuar dhe vendosja e kontakteve të rregullta dhe efektive të ekspertëve dhe autoriteteve kompetente, do të jenë te një rëndësie të lartë.
a.y/NOA