English

Pacolli, ekip lobimi për pavarësinë

Prishtinë, 29 prill, NOA - Gjatë negociatave për ridizajnimin e marrëveshjes për koalicion qeveritar, Kryeministri Hashim Thaçi dhe lideri i Koalicionit për Kosovë të Re, Behgjet Pacolli kanë rënë dakord që të krijohet një Task Forcë, e cila do të merrej kryesisht me lobim për njohje të shtetit të ri.

Përveç kësaj, në këtë ekip në të cilin rol qendror do të ketë Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, do të përfshihen zyrtarë të institucioneve, shoqërisë civile si dhe diplomatë ndërkombëtarë që kanë ndihmuar çështjen e Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme në përputhje me një vendim që është marrë në mbledhjen e Qeverisë, ka hartuar një strategji, e cila strategji do të jetë po ashtu dokument bazë veprues edhe për këtë Taskë Forcë, ku z. Pacolli si Zëvendëskryeministër për njohje do ta ketë rolin shumë qendror”, ka thënë Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Ai ka folur për institucionet dhe njerëzit që mendohet të jenë pjesë e kësaj Taskë Force.

“Përveç MPJ’së duhet të jetë edhe Ministria e Integrimeve, mirëpo ne mendojmë se përbërja e Taskë Forcës duhet të përfshijë edhe shumë personalitete të tjera, qoftë të jetës tonë politike, qoftë anëtarëve të Qeverisë, qoftë anëtarë të institucioneve të Kosovës, deputetë dhe personalitete të shoqërisë civile, të opinionbërësve, apo intelektualëve”, ka thënë ai.

Krijimin e kësaj trupe, Ministri Hoxhaj e konsideron si fuqizim të kapaciteteve për sigurim të njohjeve të reja si dhe joshje të investimeve të huaja.

“Ideja është që të kemi një politikë të jashtme aktive dhe ideja është që të angazhohen kapacitete vendore, por të angazhohen edhe shumë miq ndërkombëtarë, të cilët deri më tash kanë pasur rol kyç në proceset historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova”.

Pas marrëveshjes që u arrit të martën, ish-Presidenti Behgjet Pacolli është parë të enjten në Kuvend në ulëset e kabinetit qeveritar, si zëvendëskryeministër i Qeverisë.

Sipas marrëveshjes, kabineti qeveritar do të pësojë ndryshime sa i përket numrit të ministrive.

Shefi i Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Ibrahim Makolli së shpejti do të heqë dorë nga postet e tij në Parlament për t’u bërë ministër.

Makolli ka pranuar të udhëheqë Ministrinë e Diasporës, e cila pritet të formohet së shpejti.

“Po, unë do të jem ministër i Diasporës. Zoti Ibrahim Gashi do të jetë zëvendësministër i përkohshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, derisa të ndodhë implementimi i çështjes së marrjes së një ministrie për ta udhëhequr”, ka deklaruar Makolli të enjten për Express.

Sipas Makollit, marrëveshja e arritur mes Pacollit dhe Thaçit parasheh që Koalicioni për Kosovë të Re t’i ketë dy zëvendëskryeministra.

“Lideri jonë, Pacolli dhe ministrja Mimoza Kusari-Lila do të jenë zëvendëskryeministra në Qeveri. Zoti Pacolli do të jetë zëvendëskryeministër i parë, me kompetencat që i janë përcaktuar ditë më parë”, ka treguar Makolli.

Sipas tij, Koalicioni për Kosovë të Re deri të premten (sot) do të vendosë edhe për emrat e tetë zëvendësministrave që i takojnë dhe do t’ia dorëzojë kreut të Ekzekutivit.

Procesin e emërimeve në Qeveri e ka konfirmuar të enjten edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

“Po, tani shumë shpejt do të emërohen edhe zëvendësministrat. Por, kjo ‘shumë shpejt’ në Kosovë është relative. Kjo çështje është në dorën e Kryeministrit”, ka thënë Kuçi.

Marrëveshja e ridizajnuar e koalicionit qeveritar ka ngjallur reagime të shumta nga partitë opozitare për rritjen e numrit të ministrive.

Qeveria e vendit tani do t’i ketë gjashtë zëvendëskryeministra, 19 ministra, ndërsa për numrin e zëvendësministrave ende nuk dihet saktë, por jo-zyrtarisht thuhet se mund të jenë rreth 30 sish.

Por, për akuzat e opozitës, zëvendëskryeministri Kuçi ka pasur një shpjegim të enjten, duke thënë se Ministria e Diasporës që pritet të krijohet, ka qenë edhe kërkesë e partive që tani ndodhen në opozitë.

Megjithëkëtë, ai e pranon se Kosova ka kabinet të stërmadhuar, ndërkaq përmendi nevojën e një ridizajnimi të tërësishëm të Qeverisë. Por, jo në këtë mandat.

“Me miratimin e Ligjit për Qeverinë, sigurisht do të ketë nevojë për një ridizajnim të tërësishëm qeveritar. Pas miratimit të ligjit do të ketë ridizajnim të dikastereve. Gjatë mandatit qeverisës njerëzit e kanë të vështirë ndoshta të bëjnë zvogëlime apo ndryshime të dikastereve, por një mandat i ri sigurisht gjithsesi se do të kërkonte zvogëlim të ministrive”, ka thënë Kuçi.

Ai ka thënë se nuk ka përzierje të kompetencave ndërmjet zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, ministrit të Jashtëm dhe Presidentes sa i përket politikës së jashtme.

NOA/Ekspress

KOMENTE