Tiranë, 29 prill 2011, NOA- Dita e nesërme do të nisë me kthjellime dhe vranësira të lehta në zonat e ulëta dhe bregdetare, por ndryshe do të paraqitet situata në zonat malore të cilat do të dominohen nga vranësira dhe shira të dobët.
Shqipëria
Sipas MeteoAlb, gjatë pjesës së dytë të ditës së shtunë do të ketë shtim të vranësirave dhe shirave duke përfshirë të gjithë vendin. Shira më të dendur do të bien në verilindje dhe juglindje të territorit. Në kushtet e vranësirave dhe shirave do të mbetemi në mbrëmje dhe gjatë natës, por intensiteti më i lartë i shirave do të jetë në zonat Veriore të Shqipërisë.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në vlerat e mëngjesit, ndërsa mesdita do të sjellë rritje me 2 gradë të temperaturave në vend.
Era do të fryjë mesatare në tokë dhe det me shpejtësi 28 km/h dhe drejtim Jugperëndimor, dallgëzimi në Adriatik dhe Jon do të arrijë deri në 3 ballë.
Europa
Qarkullimi i masave ajrore nga oqeani Atlantik do të vendosen në Europën veriore, ndërsa në qendër të kontinentit, rajonin e Mesdheut dhe gadishullin e Ballkanit do të dominojnë masat ajrore të ngrohta e të lagështa me origjinë jugperëndimore. Konkretisht Europa veriore do të ketë vranësira dhe shira me intensitet të ulet. Po ashtu me vranësira dhe shira do të jenë Europa Qendrore dhe jugperëndimore, ku problematike paraqitet situata në Spanjë dhe Portugali pasi stuhitë e forta të erës do të sjellin dallgëzim të lartë në det. Me vranësira dhe reshje shiu do të paraqitet edhe zona e Alpeve, rajoni i Mesdheut dhe gadishulli i Ballkanit, ku reshje më të dendura do të bien në Alpe dhe Ballkanin verior. Ndryshe do të jetë situata në Europën Veriperëndimore dhe Lindore ku dominues do të jetë moti i kthjellët.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Zona e Alpeve alarmon për reshje shiu dhe dëbore
- Mesdheu rrezikohet nga shira intesiv
- Spanja, Portugalia do të mbeten me stuhi ere, dallgë të larta
a.y/NOA