English

Pse Kuvendi nuk duhet ta hetojë SHIK-un

Nga Armand Shkullaku

Parlamenti i Kosovës duket se ka rënë dakort në terma të përgjitshëm që ta krijojë një komision parlamentar për të hetur veprimtarinë e të ashtuquajturit Shërbim Informativ, aq shumë të përfolur nga paslufta e deri më sot.

Me këtë kërkesë të AAK-së janë pajtuar në parim edhe grupe të tjera parlamentare, madje dhe deputetët e PDK-së, por duke kërkuar që hetimet të përfshijnë edhe shërbime të tjera që thuhet se kanë funksionuar gjatë dhe pas luftës në kuadër të partive të tjera politike. Megjithatë, pavarësisht vërejtjes së kryetarit të Kuvendit se nuk duhet të bëhen investigime selektive, thelbi i debatit politik parlamentar ka të bëjë me të famshmin SHIK të drejtuar nga Kadri Veseli, “zyrtarisht” deri më 15 qershor 2008, dhe për disa akuza që rëndojnë mbi këtë shërbim për eleminime të kundërshtarëve politikë dhe përdorim të financimeve të dyshimta për interesa politike të një partie të vetme. Nuk është hera e parë që zhurma për SHIK-un e Veselit përplaset në veshët e qytetarëve dhe opnionit publik. Por këtë herë kjo zhurmë ka marrë trajtat e një beteje në Parlament, duke rrezikuar kështu keqpërdorimin politik dhe për pasojë errësimin dhe jo zbardhjen e disa krime që kanë ndodhur gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Debatit në parlamentin e Kosovës shihet qartë se i mungon sinqeriteti dhe shqetësimi i vërtetë për viktimat dhe familjarët e tyre. Mënyra se si palët po e akuzojnë njëra-tjetrën është një përpjekje, që lexohet hapur, për të blerë kredenciale politike. Kjo duket edhe në kërkesën e AAK-së që po tenton të faktorizohet si opozitë e zëshme ashtu dhe në demagogjinë e PDK-së për të hartuar një rezolutë apo akt ku Kuvendi i Kosovës distancohet nga çdo lloj krimi që ka ndodhur në dekadën e fundit. Por, a duhet Kuvendi i Kosovës të merret dhe të hapë një temë të tillë të ndjeshme në këto momente? A ndihmon kjo që po ndodh në zbardhjen e së vërtetës apo e shton më shumë mjegullën dhe i jep “imunitet” politik edhe atyre që kanë bërë krime?

Le t’i shohim me radhë.

Parlamenti i një vendi normalisht mund të hetojë veprimtarinë e shërbimit të tij informativ në kuadër të përgjegjësive ligjore të këtij të fundit. Në raport me përdorimin e fondeve, mënyrave të operimit, raportimit tek presidenti apo kryeministri, dhënies së llogarisë, marrëdhënieve me shërbimet partnere, etj. Por SHIK-u i Veselit nuk ka funksionuar në kuadër të një shteti normal. Kosova e pasluftës ka qenë në një situatë ta pazakontë politike, baza ligjore për rregullimin e aktivitetit të shërbimit sekret nuk ka ekzistuar, shërbimet e huaja kanë qenë tepër të fuqishme e prezente në vend dhe kontrolli i Kuvendit mbi këto shërbime rezulton pothuajse zero.

Një komision hetimor parlamentar do të ishte funksional nëse heton veprimtarinë e një institucioni tjetër brenda një kuadri ligjor të caktuar, pra nëse ai institucion e ka shkelur apo tejkaluar atë. Në rastin e SHIK-ut të mëparshëm ky kuadër ka munguar dhe për më tepër pretendohet që ai nuk ka qenë i vetmi shërbim vendor që ka vepruar në kaosin e pasluftës. Nëse kemi të bëjmë me një organizim të pambështetur në ligj, me veprimtari të errët, financime të dyshimta dhe pjesmarrje në krime, ashtu siç akuzojnë pjestarë të opozitës, nuk mund të hetohet për një shërbim informativ normal shtetëror por për një organizatë të mirfilltë kriminale. E të tilla organizata nuk i heton parlamenti por prokuroria.

Eshtë e vërtetë se krime ka pasur. Eshtë po ashtu e vertetë se individë të përfshirë në UÇK, SHIK apo grupime të tjera e kanë shfrytëzuar luftën çlirimtare për hesape personale apo për pushtet politik. Përdorimi i luftërave çlirimtare për të siguruar pushtetin e nesërm është një fenomen i njohur që në raste të veçanta ka degjeneruar edhe në luftë civile. Ky fenomen, në përmasa më të përmbajtura, ka prekur dhe Kosovën. Raste të tilla duhen hetuar dhe duhen gjykuar nga drejtësia në Kosovë. Ata që kanë bërë krime duke përfituar nga pozitat në luftë duhet të dënohen. Por, a mund të bëjë këtë komisioni hetimor i një parlamenti që ende reflekton ndarjet e thella të pasluftës?

Sigurisht që jo. Këtë e dinë edhe deputetët që kërkojnë hetime edhe ata që bëjnë sikur i pranojnë me normalitet këto hetime. Përplasja mes palëve për një temë të tillë po i shndërron në çështje politike edhe vrasjet apo krimet e tjera duke i dhënë kështu alibi autorëve të tyre se po sulmohen politikisht. Jo vetëm kaq, por debati politik mbi një temë kaq të ndjeshme mund të rihapë plagë që ende nuk kanë zënë kore dhe të rindezë urrejtje.

Shembulli më i mirë janë komentet e nxehta të lexuesve në gazeta, ku sheh akuza të tmerrshme ndaj njëri-tjetrit të cilat dominohen nga ndarjet politike dhe jo nga arsyeja apo e vërteta. Autorët e krimeve duhet të ndiqen penalisht, por është ende shpejt për Kosovën që një komision parlamentar të ngatërrojë dosje e histori që ende nuk janë mbyllur e ku vetë anëtarët e tij mund të kenë qenë protagonistë. Lufta politike ka plot hapësira të tjera për t’u zhvilluar. Një komision i tillë vetëm mund ta mjegullojë të vërtetën e të ndezë gjakrat në mënyrë të panevojshme. Ata që kanë fakte duhet t’i drejtohen prokurorisë dhe jo kamerave televizive, përndryshe prodhohet vetëm konflikt. Se sa e ndjeshme është kjo çështje e tregon edhe dilema e vajzës së Xhemajl Mustafës që kërkon dënimin e vrasësve të babait të saj dhe në anën tjetër do të kish dashur mos ta dinte se kush e bëri atë krim. Prandaj Kuvendi i Kosovës nuk duhet të nxitohet me deklarata politike dhe hetime për një periudhë kohore ende të freskët. Ai vetëm mund t’i ndihmojë drejtësisë për të dënuar autorët.

KOMENTE