English

Rama: Zhvillimi i qeverisë kuturu, modeli ynë është një model evropian

Tiranë, 29 prill 2011, NOA- Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, në kuadër të garës elektorale për të rimarrë mandatin e katërt ka prezantuar projektin “Qendra e Re Tirana XXL”.

Nën drejtimin e dy drejtuesve të Bashkisë së Tiranës, Zv/Kryetarja Albana Dhimitri dhe Administratori i Përgjithshëm Dritan Agolli është ekspozuar mënyra e zhvillimit dhe vizioni që përcjell ky program.

Në fjalën e tij Rama është shprehur se, “Përsëri sot, duke parë një tjetër faqe të programit tonë strategjik të zhvillimit të qëndrueshëm, ju patët mundësi të shihni argumenta zhvillimi dhe jo listë dëshirash e premtimesh. E ndërkohë, për të mos e zgjatur unë rishtroj të njëjtën pyetje: Këta zotërinj që vijnë vërdallë nëpër Tiranë e në të gjithë Shqipërinë duke thënë se zgjedhjet e 8 majit janë zgjedhje vendore dhe kërkojnë votën e qytetarëve, a mund të na tregojnë një qytet apo një komunë, një të vetme, ku të mund të shohim një model të atillë, që të ketë afërsi sado të vogël, me modelin tonë të zhvillimit. Nuk e kanë!”

Sipas tij, ata flasin për plane e projekte, madje edhe për plane urbanistike, por nuk kanë një qytet, një komunë që ata qeverisin, që të mund të thonë se çfarë kuptojnë me ato që thonë.

Rama shtoi se, mjafton të shohësh komunat e qytetet e qeverisura prej tyre, për të kuptuar se ata nuk dinë se ç’thonë, ndërkohë që ajo çka bëjnë prej vitesh, nuk është asgjë tjetër, veçse zhvillim kuturu, me pasoja degraduese për mjedisin natyror, për mjedisin ekonomik, urban dhe social.

Kryesocialisti theksoi se, “Modeli ynë është një model europian, është një model i zhvillimit të qëndrueshëm, është një model i zhvillimit të integruar, urban, ekonomik dhe social, është një model që funksionon, është një model që sot është i pakonkurrueshëm prej tyre, sepse ata nuk kanë asnjë model”.

a.y/NOA

KOMENTE