Prishtinë, 29 prill 2011, NOA- Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ditës së sotme miratoi Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2012-2014.
Gjatë mbledhjes së ekzekutivit, ministri i Financave Bedri Hamza tha se ky dokument është në përputhje me ligjin mbi Menaxhimin e Financave dhe përmban strategjinë fiskale të Qeverisë për periudhën e ardhshme tre vjeçare.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Thaçi u shpreh se, “Ne planifikojmë të kemi kontakte me komunitetet e biznesit në mënyrë që ky projekt të jetë i familjarizuar. Ky është vizioni për Kosovën evropiane, është një vizion që i ka munguar Kosovës deri tani”.
Kabineti qeveritar ka miratuar gjithashtu edhe propozimin e ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi për themelimin e Këshillit Konsultativ për Drejtësi dhe të Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë prej vitit 1990-1999.
Më tej Kryeministri Thaçi i ka dhënë mbështetje të plot trasesë së Autostradës Vërmicë-Merdare dhe fillimit të procedurave për Autostradën Prishtinë- Shkup.
“Traseja Qafë e Duhlës -Arllat është në përputhje me kushtetutën dhe ligjet . Kursehen 350 milionë euro nga buxheti i Kosovës. Prandaj ne do të vazhdojmë me ritmin e punës me synimin që të vazhdohet edhe me seksionin e pesë të autostradës”, theksoi Thaçi, duke shtuar se duhet të vazhdojmë axhendën e planifikuar dhe në kuadër të kësaj t’i shqyrtojmë mundësitë sa më të shpejta për fillimin e punimeve të autostradës në drejtim të Shkupit.
Sipas tij, ajo që është shumë me rëndësi është që Kosova po shndërrohet në një kantier ndërtimi të autostradave dhe kjo i ka munguar vendit.
a.y/NOA