English

Trupi i pajetë i rreshterit përcillet për në banesën e fundit

Në ceremoninë e varrimit të Agim Mekollari morën pjesë personalitetet më të larta shtetërore

Tiranë, 29 Prill 2011 NOA / Ervin Tirana - Është zhvilluar në ambjentet e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, (ish - SHQUP-i), ceremonia mortore në nder të Rreshterit, Agim Mekollari, i cili një ditë më parë humbi jetën aksidentalisht, në Poligonin e Asgjësimit të Municioneve në Bigaz-Skrapar.

Në Homazhet që u zhvilluan në nder të rreshterit Mekollari, morën pjesë: Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, z. Bamir Topi, Kryeministri i Shqipërisë, Dok. Sali Berisha, Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Sandër Lleshi, gjeneralë, drejtues Forcash në FA, drejtorë Drejtorishë në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, oficerë, nënoficerë, ushtarakë, familjarë, miq dhe të afërm të të ndjerit.

Trupi i pa jetë i rreshterit Mekollari, i cili qëndroi përreth tre orë në ambjentet e Qendrës së Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, ku iu bënë edhe homazhet e fundit, u përcoll për në banesën e fundit, pasditen e së premtes, mes dhimbjes dhe lotëve të familjarëve, miqve e shokëve që kishin ardhur për të bërë nderimet e fundit.

Në telegramin e ngushëllimit që ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami i dërgoi familjes së të ndjerit, Agim Mekollari, thuhej:

“Të dashur familjarë të ushtarakut Agim Seit Mekollari.

Me hidhërim të thellë, mësuam për humbjen e jetës të të dashurit Tuaj, ushtarakut Agim Mekollari. Lajmi për rënien në krye të detyrës të të dashurit tuaj, ushtarakut Agim Mekollari, na ka prekur të gjithëve. Humbje të tilla mes njerëzve që kanë lidhur jetën me uniformën ushtarake janë kurdoherë të hidhura.

Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm dhe të të gjithë personelit të Forcave të Armatosura, ju shpreh ngushëllimet më të thella. Njerëz si ushtaraku Agim Mekollari me vetitë dhe vyrtytet më të shquara të tyre janë gjithmonë një shembull, një pikë referimi, një burim frymëzimi për ne dhe për brezat që vijnë.

Të gjithë ne i lutemi Zotit që t’ju japë forcë dhe besim në këto momente të vështira dhe ndajmë me ju dhimbjen për humbjen e jetës të shokut tonë Agim Mekollari. Me rastin e kësaj humbje të madhe për familjen Mekollari dhe për Forcat e Armatosura, Ju lutemi pranoni ngushëllimet e mija më të thella dhe të sinqerta”, thuhet në mesazhin ngushëllues që ministri Imami ia dërgon familjarëve të rreshterit Mekollari.

Edhe presidenti Bamir Topi, përmes një telegrami ka ngushëlluar familjarët e rreshterit Agim Mekollari, duke e cilësuar ndarjen e parakohshme nga jeta të rreshterit Mekollari, humbje të madhe jo vetëm për familjen e tij por për të gjithë Shqipërinë. Agim Mekollari humbi jetën gjatë kryerjes së operacionit të asgjësimit të municioneve me plasje, në Poligonin e Bigazit në Skrapar, ku mbetën të plagosur (lehtë) edhe tre persona të tjerë.

e.t/NOA

KOMENTE