English

Aksidentohet eskorta e kryeministrit, dy të lënduar lehtë

Sarandë, 30 prill 2011, NOA Update – Aksidenti në të cilën u përfshi një prej makinave të eskortës së kryeministrit Sali Berisha në mesditë ndodhi për shkak të rrëshqitjes së makinës nga lagështira në rrugë.

Burime nga stafi i kryeministrit bëjnë me dije se në makinën e aksidentuar ndodheshin dy persona, shoferi i makinës së aksidentuar Alfred Naçi, 42 vjeç dhe fotografi i kryeministrisë Meksi Xhufka, 60 vjeç.

Makina e zyrës së shtypit të kryeministrisë u përplas me një tjetër automjet në vendin e quajtur kthesa e Shën Vasilit, në Sarandë.

Sipas shoferit, Alfred Naçi shkak i aksidentit u bë rrëshqitja e automjetit në rrugë edhe për shkak të motit.

Mësohet se dy të aksidentuarit kanë marrë plagë të lehta dhe u dërguan në spitalin e Sarandës.

Mjekët e këtij spitali nënvizojnë se të aksidentuarit janë jashtë rrezikut për jetën, pasi gjatë përplasjes kanë pësuar vetëm shembje.

Gjatë pasdites dy personat e lënduar u vizituan në spital edhe nga kryeministri Sali Berisha dhe zonja e tij, Liri Berisha.

Kryeministri Berisha i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, ndaloi sot në Sarandë për të mbështetur kandidatin e koalicionit të “Aleancës për qytetarin”, Edmond Gjoka, që rikandidon për postin e kreut të bashkisë së Sarandës, perlës jonike të rivierës shqiptare.

mit/NOA

KOMENTE