English

Basha: Jeta ime mes Aurelës e Dafinës

Lulzim Basha vjen për herë të parë në një rrëfim ndryshe për jetën e tij private. Tregon për gazetarin Arian Çani në “Zonë e Lirë” në Vizion Plus, jetën private dhe kujton vitet që nga fëmijëria deri sot

Ju keni kaluar një fëmijëri mes lodrave që ofronte kryeqyteti në atë kohë, në parqe...

Tek ish gropa e Hajdin Sejdisë ka qenë një park lojërash, një tjetër ka qenë tek rruga e Elbasanit, që ka mbetur vetëm gjysma. Kishte më shumë më gjelbërim se ç’ka sot. Në fëmijërinë time, kam kapur atë pjesën kur shumica e lodrave vinin nga Kina. Ka qenë periudha nga vitet ’80-‘90. Pas kësaj, fëmijët kanë pasur një fëmijëri krejt ndryshe. Mbaj mend në fëmijërinë time pak më të avancuar dhe në fëmijërinë e vëllait tim që është katër vjet më i ri se unë, se si të gjitha këto dalëngadalë filluan të rralloheshin e të zhdukeshin dhe u vështirësua jeta për të gjithë.

Kur erdhi koha të zgjidhnit gjimnazin, ju zgjodhët të shkonit tek Sami Frashëri. Pyetja ime është e thjeshtë. Pse Samist dhe jo Petro Ninist, p.sh?

Shtëpia ime ishte afër dy gjimnazeve, Sami Frashërit dhe Partizanit. Një pjesë e shokëve të mi me të cilët luaja volejboll, që vinin nga një tjetër shkollë tetëvjeçare, vinin nga Fan Noli, vendosën të shkojnë tek Samiu, kështu dhe unë vendosa të shkoj me ta. Pra kjo ishte për shkak të shoqërisë së sportit.

Çani: Gjatë adoleshencës ju keni qenë një çun që keni pasur sukses me gocat. Ju ishit një nga djemtë me kinga të Sami Frashërit. Është e vërtetë?

Kam pasur një shoqëri shumë të këndshme në gjimnaz, vajza dhe djem dhe e kemi ruajtur shoqërinë. Një pjesë prej tyre u largua për studimet jashtë, por shumica janë kthyer dhe ruajmë shoqërinë dhe sot.

Keni qenë edhe një djalë punëtor duhet thënë. Keni punuar për të ndihmuar familjen tuaj. Duhet thënë që familja e Lul Bashës ka qenë një familje si shumë të tjerat e asaj kohe. Nuk kishte të ardhura të bollshme. Ndaj dhe ju Luli keni punuar si kamerier gjatë tre muajve të verës në Rinas.

Zv.Kamarier.

Po pse zv.kamerier?

Kamarier ishte detyra kryesore dhe dikush ndihmonte atë.

Pra fillonte nga poshtë…

Sigurisht, kishte hierarki atëhere çdo gjë. Kanë qenë pushimet e verës midis vitit të tretë e të katërt.

Kishte rregull në kohën e Enver Hoxhës. Mirë atje në Rinas?

Përvojë e veçantë. Unë zotëroja gjuhën Angleze dhe më ndihmonte të komunikoja me fluksin e të huajve që vinin në atë kohë. Në ’91 mbaj mend dy ngjarje. Largimin e një mikut tim të ngushtë në emigrim. Më ra rasti më vonë ta takoja pas katër vitesh, por kur u largua menduam që u ndamë përjetë, sepse nuk e dinim sesi do të shkonin gjërat. Dhe një ngjarje tjetër të dhimbshme që mbaj mend kur punoja në Rinas, në verë, filloi rikthimi i atyre që kishin ikur. Mbaj mend rikthimin e tyre. Këto kanë qenë kujtime që i kam pasur sepse më pas si Ministër i Jashtëm më shpesh isha në Rinas se në zyrën time, por nuk harroja kurrë asociimin që kisha me pjesë të veçanta atje.

Dashuria juaj e parë quhej Aurela dhe vazhdon të quhet akoma sot. Me Aurelën kalonit orë të tëra dhe nuk ia shprehnit hapur ndjenjat gjatë katër viteve të gjimnazit. Jo se ishit qullac, por sepse kishit frikë nga refuzimi, thonë miqtë tuaj të asaj kohe. Eshtë e vërtertë?

Unë me Aurelën kemi qenë një një klasë duke filluar nga viti i dytë. Kemi pasur një miqësi që filloi duke u rritur, por ka qenë deri në fund të maturës, më mirë të them në fillim të universitetet, që ne, filluam një lidhje të tillë. Pra versioni juaj është shumë romantik, por jo tërësisht i vërtetë. Kemi qenë miq të mirë. Dhe në pushimet e vitit të katërt dhe para se të nisnim universitetin, lindi kjo ndjenjë.

Të mos harrojmë që Lul Basha ka qenë edhe D.J dikur e…Keni punuar d.j?

Kam punuar në klubin e studentit në Utreht, në Holandë.

Për sa kohë keni punuar?

Basha:Nuk ishte tamam punë. Në klub merreshin përsipër detyra të caktuara pa pagesë. Një pjesë shërbente pijet, një pjesë kishte detyra të tjera. Një miku im ishte d.j profesionist dhe ai më mësoi të luaja me sistemin e vjetër. Të miksoja.

Bashkë me Aurelën niseni të dy me studime me grupin e studentëve që nisen në Holandë. Nuk dihet ende se ku dhe kur është shkëmbyer puthja juaj e parë. Ka qenë në Hollandë apo në Shqipëri?

Ka qenë në Shqipëri, në një vend të veçantë. Por kujtimi është vetëm për ne të dy.

Pas studimeve në Drejtësi dhe specializimit në të Drejtën ndërkombëtare publike në Universitetin e Utrehtit ktheheni në Tiranë. Nga martesa juaj me Aurelën, lindi Dafina, një bionde e vogël sot katër vjeçare. Aurela thotë se Luli ka kujdes të mirë për datat, premtimet dhe më së shumti i mban ato. I referohet jetës së përbashkët me ty Lul. Dhuratat që i ke bërë herë pas here, nuk i ke harruar kurrë ditëlindjet e saj.

E vërtetë është, por përpiqem që të kem të njëjtat sjellje me të gjithë miqtë, dhe Aurela i referohet më shumë sesa marrëdhënies sonë të përbashkët.

Dafinës i thërrisni goca e babit dhe nuk ia kurseni kurrë përkëdheljet, por herë pas herë jeni i rreptë duhet thënë…

Nuk jam i rreptë. Mendoj se fëmijës nuk duhet t’i mungojë dashuria, nuk duhet t’i mungojë ngrohtësia, por deri aty që të humbasë raporti. Në këtë drejtim, goca e babit është shumë e përmbajtur.

Ndonëse ditët tuaja janë të gjata Lul, duhet thënë që ju nuk e humbisni pothuaj asnjëherë programin e preferuar të Dafinës, gocës së babit. Programi quhet klubi i miushit Miki.

Për fat të keq ka dy javë që nuk po jepet. Tani është edhe fushatë dhe unë nuk kam kohë të jem aq shpesh pranë saj, por gjatë kësaj javë kam qenë njëherë pranë saj dhe ka qenë arushi Pooh, tigri dhe miqtë.

Shikoni arushin Pooh?

Sigurisht që po. Nuk guxon të mos e kapësh nga fillimi e ta lësh pa mbaruar.

Përsa i përket look-ut nuk është se pyesni njeri, nuk këshilloheni me njerëzit dhe nuk harxhini shumë kohë me kombinimin e ngjyrave të kravatës ashtu siç e ka mani kundërshtari juaj Edi Rama.

Nuk e di për kandidatin tjetër, por unë mendoj që, unë preferoj vetë gjërat e thjeshta. Mendoj që mashkulli nuk duhet ta bëjë veshjen. Veshja duhet ta zgjerojë atë, por jo ta dominojë.

KOMENTE