English

Basha: Punësimi objektivi im numër 1

Tiranë, 30 prill 2011, NOA – Në të dytin takim të hapur me qytetarët e Tiranës në formën e “Townhall meeting”, ku kandidati demokrat për kryebashkiak në Tiranë, Lulzim Basha, u ka dhënë përgjigje pyetjeve të banorëve të njësisë bashkiake nr. 11, duket se programi i tij për Tiranën ka ngjallur interesin e investitorëve të huaj. Kandidati demokrat foli për transparencën në qeverisjen e kryeqytetit, lehtësirat fiskale, dhe efektet që ato japin në zhvillimin e qytetit.

Gjatë bashkëbisedimit me banorë të zonës së Kodër Kamzës, papunësia ishte rishtas shqetësimi kryesor i banorëve të zonës si dhe strehimi.

Basha ritheksoi se për të punësimi mbetet objektivi numër 1 i axhendës së tij.

“Punësimi për të cilin akoma më keq sesa me ujësjellës kanalizimet, sot bashkia nuk njeh asnjë përgjegjësi. A nuk është punësimi problemi më i madh sot në Tiranë? Po si mund të thotë kryetari i bashkisë që ky nuk qenka problemi i tij më i madh? Ne do ta vendosim punësimin si objektiv kryesor të aktivitetit të përditshëm të bashkisë së Tiranës. Me uljen e taksave, me fondin e garancive, ne do të mund të krijojmë vetëm gjatë 6 muajve të parë, jo më pak se 10 mijë vende të reja pune”, theksoi Basha.

Kandidati demokrat për Tiranën tha se Unaza e Madhe do të jetë një front pune që do të ofrojë jo më pak se 5800 të punësuar brenda 12 muajve të fillimit të punimeve.

“Do të investojmë fort që në Tiranë të rikthejmë vëmendjen e investitorëve të huaj, ku vetëm gjatë kësaj jave që kam shpallur platformën time, më janë kërkuar disa takime nga investitorë të mëdhenj, gjermanë, italianë, amerikanë, arabë etj. Për këdo që do të hapë 50 vende pune apo më shumë, ne do të shqyrtojmë mundësinë e heqjes totale te taksave për katër vite”, nënvizoi Basha.

Duke folur për strehimin Basha garantoi se “strehimi do të jetë prioritet për bashkinë që do të drejtoj unë”.

Ai u zotua se do të ngrihet një fond special për të zbutur kredimarrjen e çifteve të reja.

Këtu Basha premtoi se nuk do të ndërtohen më pak 1000 apartamente sociale deri në majin e vitit 2015.

I pyetur për furnizimin me ujë të pijshëm kandidati demokrat për kryebashkiak tha se një nga aktet e para të tij në krye të bashkisë do të jetë transferimi i plotë i autoritetit të kontrollit të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës pranë Bashkisë së Tiranës.

“Objektivi im është që brenda 12 muajve problemi i ujësjellësit, dhe brenda 18 muajve problemi i kanalizimeve, të mos jenë më në fjalorin e përditshëm të asnjë qytetari të Tiranës”, siguroi Basha.

Basha bisedoi me banorët e Kodër Kamzës dhe për hapjen e bizneseve të rinj, ku ai lajmëroi se në programin e tij parashikohen lehtësira të veçanta për bizenset artizanale, bizneset që hapen nga gratë, e veçanërisht nga gratë kryefamiljare.

Gjithashtu ai i premtoi banorëve se projekti i tij parashikon edhe implementimin e modelit të suksesshëm të qendrës së regjistrimit të biznesit edhe në bashkinë e Tiranës. Madje kandidati demokrat u premtoi banorëve të Kodër Kamzës se zhvillimi i qytetit do të nisë nga zhvillimi i lagjeve të Tiranës, të lëna sikundër tha ai në harresë nga bashkia e Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE