Sarandë, 30 prill 2011, NAO- (Update) Në vijim të fjalës së tij nga qyteti i Sarandës, Kryeministri Berisha u shpreh se, në vitet që vijnë do u jepet zgjidhje problemeve të trojeve në qytet.
Më tej ai tha se investimet e bëra në Sarandë katër vitet e fundit janë më të shumta se kurdoherë tjetër.
“Saranda është bërë e bukur e dheut, destinacioni kryesor turistik, e kemi shndërruar Sarandën dhe Shqipërinë si vendin me rritjen më të madhe ekonomike në Europë.
Sot ne jemi më të vendosur se kurrë për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë shqiptarët.
Alternativa e rrugës së vetme, është me sharje dhe shpifje. Jo se unë nuk respektoj kundërshtarin, por i them atij se sharjet dhe shpifjet nuk sjellin turistë, nuk rrisin pensione, nuk rrisin rroga, ato nuk iu përgjigjen as interesave dhe as projekteve të qytetarëve të Sarandës dhe të gjithë Shqipërisë”, deklaroi kreu i qeverisë.
Shefi i maxhorancës i garantoi qytetarët se përkushtimi dhe djersa e qytetarëve janë dhe mbeten epiqendra e alternativës së qeverisë, madje shtoi se në katër vitet që vijnë në Sarandë do shumëfishohen investimet, duke bërë që vendi të ecë shumë herë më shpejt se në katër vitet e lëna mbas.
Kryeministri Berisha deklaroi se, “Sa herë kaloj nga një rreth, në një tjetër mrekullohem sepse sa herë që i vizitoj më duken më të bukura dhe me potenciale më të mëdha, pasi e tillë është Shqipëria, ajo është për t’u zbuluar së bashku me potencialet e saj që janë të pashtershme. Pasuritë e vendit janë të pafundme, nëntokësore, pyje, ujëra, fusha malet e tij. Në 2017-ën Saranda qytet i zhvilluar dhe Shqipëria do të jetë vend i zhvilluar”.
Sipas tij, gjatë viteve të shkuara u anëtarësua Shqipëria në NATO dhe u bë liberalizimi i vizave, u dyfishuan pensionet dhe rrogat, dhe së bashku me fatin dhe guximin u dhjetëfishuan turistët.
Në përfundim lideri i bluve apeloi që, “Në 8 maj votoni Edmond Gjokën, votoni kryetarin e ardhshëm të bashkisë pasi u garantoj që çdo projekt do e kthejmë në realitet, pasi për ne ju jeni të parët, komuniteti është ui pari, familja është e para, fëmijët janë të parët”.
a.y/NOA