Tiranë, 30 prill 2011, NOA- Nënkryetarja e bashkisë së Tiranës, Albana Dhimitri, reagoi gjatë mesditës së sotme lidhur me premtimet e kandidatit të maxhorancës për kryebashkiak të kryeqytetit Lulzim Basha.
“Na vjen keq që fushata elektorale nuk i shpëtoi dot politikës së baltës dhe shpifjes ndaj punës së Bashkisë së Tiranës, për të gënjyer banorët e kryeqytetit. Por fatmirësisht, votat nuk merren dot as me gënjeshtra të reja e as me dështime të së kaluarës. Të gënjesh e mashtrosh “ditën me diell” për hipotekat e pallateve është e turpshme për një qytetar të thjeshtë dhe jo më për një kandidat për Kryetar Bashkie”, deklaroi numri dy i bashkisë.
Sipas saj, vetë Lulzim Basha, në cilësinë e Ministrit të Punëve Publike, në vitin 2006 ndryshoi ligjin për hipotekat duke ia hequr bashkisë të drejtën e legalizimit të pallateve që kishin kryer shkelje të lejes së ndërtimit.
Më tej Dhimitri u shpreh se, Basha gënjen pasi e di shumë mirë se që prej vitit 2006 ka qenë ministria që ai drejtonte nëpërmjet Agjencisë së Legalizimit, organi që duhet të jepte lejen e legalizimit dhe të bënte hipotekimin e pallateve.
Ajo shprehu gatishmërinë për të vënë në dispozicion të qytetarëve, dokumentacionin për 400 pallate të cilat bashkia ia ka dërguar zyrtarisht ALUIZNI-t që prej vitit 2008 dhe që vërtetojnë se, është kjo qeveri dhe ky ish-ministër që prej mbi 3 vjetësh mbajnë peng qytetarët e Tiranës duke mos ju dhënë hipotekat e pallateve.
Dhimitri deklaroi se, edhe ato pak pallate që janë legalizuar, hipoteka nuk u bën regjistrimin për arsye të mirëfillta korruptive.
Sakaq, ajo e cilësoj si të turpshëm qëndrimin e Bashës, që njësoj siç bëri me premtimin për kartën studentore e për premtime të tjera, vazhdon të gënjejë çdo ditë e më shumë, duke u përpjekur të shesë dështimet e tij personale, si premtime të reja elektorale.
Në përfundim Dhimitri tha se lidhur me gjithë faktet e sipërpërmendura Luzim Basha duhet tu japë llogari shqiptarëve se pse po e bllokon procesin e dhënies së hipotekave në kryeqytet.
a.y/NOA