Tiranë, 30 prill 2011, NOA – Kur statistikat flasin se çdo tre minuta në botë preket një grua nga kanceri i gjirit dhe kur në Shqipëri numërohen rreth 400 raste të reja në vit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli inkurajoi gratë dhe vajzat shqiptare të vetëkontrollohen pasi vetëm kështu mund ta fitojnë betejën kundër kancerit duke e parandaluar atë.
“Beteja kundër kancerit është një betejë që fitohet nëse diagnostikohet dhe parandalohet në kohë. Vetëkontrolli është një detyrim për çdo nënë, për çdo grua”, deklaroi kryeparlamentarja Topalli gjatë përshëndetjes së saj në Kongresin e Parë të Mesdheut për Kancerin që po zhvillon punimet në Tiranë.
Zonja Topalli tha se për të luftuar kancerin e gjirit dhe të mitrës, një nga sëmundjet që u merr jetën mijëra grave në vit është tejet e rëndësishme që gratë të ndërgjegjësohen, një faktor kyç ky për përballimin dhe kapërcimin e sëmundjes së rëndë.
“Unë kam bindjen e plotë se parandalimi i sëmundjes së kancerit përmes diagnostikimit në kohë është një hap thelbësor në këtë betejë, se beteja kundër kancerit është një betejë që fitohet nëse krahas trajtimit mjekësor, të gjithë aktorët e shoqërisë, përfshihen në këtë betejë,” tha kryeparlamentarja Topalli.
Ajo nënvizoi se përveç nisjes dhe implementimit të projekteve të ndryshme, qeveria ka rritur fondet në buxhetin e shtetit për investime në infrastrukturën e aparateve diagnostikuese si skanera, mamografë të rinj dixhitalë, kite për Pap testin, Gamakancer, pajisje për ekzaminime radiologjike ekoje, si dhe akseleratorë lineare që shërbejnë për përballimin e kësaj sëmundjeje të rëndë.
Kryetarja e Kuvendit, e cila është vënë në krye të një fushate sensibilizuese në shumë qytete dhe zona të largëta, bëri me dije se janë të shumta gratë kurajoze që janë përballur dhe e kanë fituar luftën me kancerin duke e mundur atë.
“Kur i cilësoj ato gra heroina, i ndjej si të tilla, sepse ato që sfidojnë këtë sëmundje me kurajo dhe që tashmë janë në radhët e para për të rritur ndërgjegjësimin e grave dhe opinionit publik se kjo betejë është shpesh shumë e vështirë, por jo e pamundur për tu fituar,” tha zonjë Topalli.
Sipas saj mbajtja e Kongresit të Parë të Mesdheut për Kancerin në Tiranë nën kujdesin e kryeministrit Sali Berisha është dëshmi e vëmendjes dhe kujdesit të Qeverisë Shqiptare për të rritur efiçencën e përpjekjeve të mjekësisë shqiptare për t’u përballur me sëmundjen e kancerit apo me sëmundjen e shekullit.
mit/NOA