English

Lehtësohet kontrolli në kufijtë mes Shqipërisë e Kosovës

Tiranë, 30 prill 2011, NOA – Në vigjilje të sezonit turistik, nga sot, dy shtetet shqiptare në rajon, Shqipëria dhe Kosova do të kryejnë procedura të përbashkëta të kontrollit të hyrje-daljeve në pikat e kalimit kufitar. Këtë e vë në jetë marrëveshja e nënshkruar sot në Tiranë nga dy ministrat e Brendshëm të vendeve respektivë. Bujar Nishani dhe Bajram Rexhepi.

Në bazë të marrëveshjes qytetarët që udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe Kosovës do t’i nënshtrohen vetëm një kontrolli doganor në hyrje ose dalje në të tria pikat e kalimit kufitar, Morinë, Qafë Prush dhe Qafë Morinë duke lehtësuar dorazi lëvizjen e lirë të shqiptarëve, sidomos gjatë sezonit turistik.

Dy ministrat Nishani dhe Rexhepi nënshkruan edhe protokollet përkatëse për kryrjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar.

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani theksoi pas nënshkrimit të marrëveshjes se “Ne së bashku konkretizuam vijimin e një praktike shumë të mirë, që padyshim do të konsolidohet akoma më shumë, krijimit të hapësirave më të mëdha, të lehtësirave më të mëdha të lëvizjes së qytetarëve tanë në të dy anët e pikave të kalimit të kufirit”.

Sipas ministrit Nishani, ky është hapi i parë për të arritur shumë shpejt në liberalizimin e hyrjeve dhe daljeve pa kontrolle në pikat e kalimit të kufirit, pra marrëveshjen e Shengenit.

Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi tha se “Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve lehtëson lëvizjen e qytetarëve duke ndihmuar në veçanti gjatë muajve të sezonit të sezonit turistik që pothuajse ka filluar gjatë fundjavave, në mënyrë që të kenë një lëvizje sa më të shpejtë në kufi”.

Ministrat Nishani dhe Rexhepi vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm në fushat e luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe kontrollit të kufijve.

mit/NOA

KOMENTE