Shkup, 30 prill 2011, NOA- Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni të cilat pritet të mbahen më 5 qershor, duket se nuk u kanë shpëtuar problemeve paraprake.
Listat e zgjedhësve janë mbushur me persona që nuk jetojnë më dhe me të moshuar mbi 100 vjeç.
Mediat maqedonase bëjnë me dije se, në qytetin e Shkupit dhe atë të Manastirit janë zbuluar këto ditë dhjetëra shtetas nëpër listat e votimit, të cilët kanë ndërruar jetë, dhe si të tillë kanë publikuar rastin e Panoreja Zaharopulo, që sipas viteve i bie që momentalisht të ishte 107 vjeçe, por që prej disa vitesh nuk jeton më.
Ndërsa data 4 maj shënon afatin e fundit për verifikimin e të dhënave në listat zgjedhore, numërohen mbi 20 mijë veta të pastruar nga listat e votimit, pasi pjesa më e madhe e tyre ka ndërruar jetë, dhe pjesa tjetër nuk janë shtetas të Maqedonisë. Nga shifrat e deritanishme zyrtare, numri i votuesve në Maqedoni rezulton të jetë mbi 1 milion e 793 mijë votues.
a.y/NOA