English

Media greke: Librat shkollorë shqiptarë po nxisin urrejtje dhe oreks ndaj Greqisë

Urrejtja, fanatizmi dhe histori të falsifikuara që nuk kanë të bëjnë me të vërtetat e historisë, është duke u mësuar qeveria shqiptare, nxënësve të shkollave në Shqipëri.

Kështu vlerësohet në disa media greke, duke marrë si shembull librin e Gjeografisë 4 dhe analizuar disa pjesë të këtij teksti mësimor.

Kanali televiziv TVR News dhe agjencia e lajmeve Eidhiseis.Info, kanë publikuar disa pasazhe të Gjeografisë dhe librave të Leximit të shkollave shqipe, duke kritikuar atë që ata e quajnë gjuhë urrejtjeje dhe fanatizmi në librat shkollorë shqiptarë.

Madje këto media hedhin dhe shqetësimin se rinia shqiptare po edukohet plot mllef e zemërim ndaj grekëve kurse historia sipas tyre, po u servilet kryekëput ndryshe.

Sipas mediave greke, nxënësit shqiptarë në tekstet zyrtare të librave shkollorë, po mësojnë historinë e "Shqipërisë së Madhe" dhe shkëpusin një pasazh: ... "Greqia e Veriut, nga Follorina dhe deri në Prevezë është pjesë e territorit kombëtar shqiptar, në të cilën grekë të etur për gjak kanë bërë" spastrim etnik te çamët duke i dëbuar nga këto troje”.

Gjenerata e re e shqiptarëve po mëson ndër të tjera, - komenton media greke, që ...”kanë të njëjtën ADN me mbretin Pirro të Epirit dhe të Olympias, nëna e Aleksandrit të Madh”. Mediat greke theksojnë faktin se “të gjitha këto libra u shtypën këtë sezon shkollor si tekstet shkollore zyrtare të miratuara nga Ministria shqiptare e Arsimit”.

Në tekstin e ri "Gjeografia e Shqipërisë", botuar këtë vit dhe që shërben tashmë material mësimor në shkollat ​​në vend, nxënësit po studiojnë jo vetëm gjeografinë e vendit të tyre por edhe për vendet e rajonet kufitare, sipas autorëve të tekstit, të banuara me shqiptarë.

Si një tjetër fakt gjoja të gabuar, media greke “denoncon” edhe këtë pjesë të tekstit shkollor: Në trevat shqiptare, të cilat kanë mbetur jashtë shtetit shqiptar përfshihen ato në Kosovë, pjesë të Malit të Zi dhe Serbisë, gjysma e territorit të Shkupit dhe e gjithë pjesa veriperëndimore e Greqisë, prefekturat e Follorinës, Kosturit, Grevena, Janina, Arta, Preveza, Thesprotia dhe pjesa veriore e Etoloakarnanisë.

Në mënyrë të veçantë, sa i përket vendit tonë, - shkruan media greke, - në kapitullin e "zonave shqiptare në Greqi, thuhet:"Janë krahina shqiptare që padrejtësisht janë aneksuar nga shteti grek në 1913 nga Këshilli i Ambasadorëve. Zhvillimet historike, dëbimet e dhunshme masive të popullatës autoktone shqiptare dhe mungesa e të dhënave zyrtare vështirësojnë përcaktimin zyrtar të rajoneve shqiptare në Greqi dhe në veçanti çështjet e pazgjidhura sociale dhe ekonomike të këtyre zonave, është një tjetër citim i medias greke, parë me sy kritik, sikundër dhe ky më poshtë:

“Këto fusha janë të vendosura në Greqinë veriperëndimore, në jug të Maqedonisë dhe në juglindje të Shqipërisë derri në Gjirin e Artës dhe përbëhet nga fushat e Kosovës, Follorina, etj.

Autorët e librit, - vijon “investigimi” i medias greke, - thonë se Greqia ka bërë "spastrim etnik" me qëllim shfarosjen e shqiptarëve që jetonin atje.

Harta e Shqipërisë së Madhe dhe viset shqiptare përtej kufirit, përbëjnë kopertinën e Gjeografisë, komenton media greke, duke shtuar: Për më tepër, nxënësit ftohen përmes këtij libri që të pikturojnë rajonet e Greqisë ku jetojnë shqiptarët ose t’u përgjigjen pyetjeve pas çdo pjese mësimore, si për shembull: "Cilat janë viset shqiptare të Greqisë" Ose "Evidentoni dëbimet që vuajtën shqiptarët nga autoritetet greke”.

n.s/e.t/NOA

Jepni mendimin tuaj më poshtë mbi këto pretendime të medias greke:

KOMENTE