English

Nishani: Procesi zgjedhor do të jetë plotësisht korrekt

Tiranë, 30 prill 2011, NOA – Ndërkohë që ka nisur numërimi mbrapsht për zgjedhjet vendore të 8 majit ministri i Brendshëm Bujar Nishani ka garantuar qytetarët se procesi zgjedhor do të jetë plotësisht i qetë e korrekt dhe se janë marrë të gjitha masat për sigurinë e zgjedhjeve.

“Janë marrë të gjitha masat në aspektin e garantimit dhe sigurimit të ambientit normal për zgjedhjet, për publikun, për qytetarin”, tha Nishani.

Ai bëri me dije se është bërë një punë e shkëlqyer në aspektin organizativ, atë të trajnimit dhe njohjes së detyrave të çdo punonjësi policie nga drejtuesi e deri tek më i ulëti në gradën përkatëse.

“Nga eksperienca e madhe që ka tashmë Policia e Shtetit duke iu referuar asaj të zgjedhjeve të vitit 2007 dhe 2009, jo vetëm që jam i bindur, por ju garantoj juve dhe opinionin publik që çdo gjë do të shkojë në mënyrën perfekte, siç e parashikon ligji dhe ashtu siç e presin dhe e meritojnë qytetarët shqiptarë”, siguroi ministri i Brendshëm pas nënshkrimit të marrëveshjes me homologun e tij kosovar Bajram Rexhepi, për lehtësimin e procedurave kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës.

mit/NOA

KOMENTE