English

Rama në Gramsh: Ju mbytën në gënjeshtra, mbytini me vota kundër

Gramsh, 30 prill 2011, NOA Update – Lideri i opozitës Edi Rama u bëri një mesazh të drejtpërdrejtë banorëve të Gramshit që ata që po i mbysin prej kaq vitesh me gënjeshtra është koha që t’i mbysin me votë kundër në 8 maj. Në këtë kontekst kryesoicialisti Edi Rama u bëri thirrje gramshiotëve t’i marrin thasët me miell që shpërndan pushteti, por votën ta investojnë për të ardhmen e tyre.

Rama u dha këtë porosi mijëra gramshiotëve të mbledhur në mitingun e Partisë Socialiste: “Merruani, janë paratë tuaja! Votën investojeni për të ardhmen tuaj. Të ardhmen tuaj mos ua shisni kusarëve”, u bëri thirrje Rama.

Shefi i opozitës u rikujtoi banorëve të Gramshit premtimet e gënjeshtërta të kryeministrit Berisha për ndërtimin e një hidrocentrali ku do të punësoheshin me mijëra gramshiotë.

“Ju e mbani mend mirë të dashur miq kur Saliu ngriti një podium diku këtu dhe premtoi një hidrocentral me mijëra vende pune. E pastaj bashkë me podiumin dhe me Saliun iku edhe hidrocentrali. E asnjë vend pune nuk u hap, përkundrazi mbeti në vend të podiumit të Saliut gropa e madhe e një gënjeshtre si mijëra e miliona gënjeshtra që Saliu shpërndan si tym në të gjithë Shqipërinë”, deklaroi Rama.

Ai i bëri thirrje gramshiotëve që në 8 maj të tregojnë me fuqinë e votës së tyre se janë të neveritur nga kjo politikë e mbrapshtë, e vjetër dhe e pabesë gënjeshtrash.

Rama evidentoi modelet e suksesshme të “Aleancës për të ardhmen”, duke nënvizuar se Saliu nuk ka asnjë model suksesi për të treguar.

“Shihni qytetet dhe fshatrat e qeverisura nga Saliu. Shihni se ç'ka bërë Saliu i Gramshit këtu në këto vite. Mirë që nuk ka bërë asgjë për Gramshin, por më keq akoma ka vepruar këtu në kurriz të këtij populli si një bajraktar për të kallur frikën, për të kërcënuar mësues, për të kërcënuar nëpunës. Në atë rrugë qorre, në atë rrugë të verbër pashpirtësie, mllefi e ndasie ku Saliu e ka futur këtë shoqëri dhe nga e cila kjo shoqëri do të dalë duke filluar nga 8 maji, për të vetmen rrugë, për rrugën që i bashkon njerëzit”, deklaroi kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

mit/NOA

KOMENTE