Durrës, 30 prill 2011, NOA- Në takimin e zhvilluar gjatë ditës së djeshme në qytetin e Durësit në forumin për nismën rajonale për migrim (MARRI), mes ministrit të Brendshëm Shqiptar Bujar Nishani dhe atij Serb Ivica Daçiç, u theksua se qytetarët shqiptarë dhe ata serb shumë shpejt do lëvizin pa viza.
“Dy vendet tona kanë hequr vizat me zonën Schengen dhe së shpejti do të nënshkruajmë marrëveshjen e ndërsjellë për heqjen e vizave mes dy vendeve, ku shtetasit të lëvizin vetëm me letërnjoftime. Prioritetet tona mbeten lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike, armëve, qenieve njerëzore, emigrantëve të paligjshëm, si dhe lufta kundër falsifikimit të dokumenteve”, deklaroi ministri serb Daçiq.
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani dhe Ministri i Brendshëm i Serbisë Ivica Daçiç u angazhuan për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
Në vijimësi edhe të filozofisë dhe angazhimeve të MARRI-t, , përmes kësaj marrëveshjeje që ne nënshkruajmë me Republikën e Serbisë krahas sigurisë dhe mundësisë që kanë qytetarët e dy vendeve për të lëvizur të lirshëm në hapësirat e dy vendeve tona, ne angazhohemi për të respektuar padyshim rregullat dhe ligjet e secilit prej vendeve tona. Parimi i lëvizjes së lirë shkon paralelisht me parimin e kufijve të hapur, por të sigurtë,-u shpreh Ministri Nishani.
Ministri i Brendshëm i Serbisë Daçiç e cilësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm para se të ndërmerret hapi tjetër që do t’u mundësojë qytetarëve të vendeve të rajonit të lëvizin vetëm me karta identiteti.
Gjatë forumit u bë edhe kalimi i presidencës së radhës nga Shqipëria tek Serbia.
Shqipëria ka hequr në mënyrë të njëanshme vizat me Serbinë që në prill të vitit kaluar. Vendimi u mor nga qeveria shqiptare me propozim të Ministrisë së Jashtme të këtij vendi.
a.y/NOA