English

Sot kompanitë varen nga besimi

Besimi në biznes gjatë viteve të fundit është vënë seriozisht në pikëpyetje. Pa pasur besim nuk mund të funksionojë ekonomia e tregut në mikro nivel – në një kompani, dhe në makro nivel - në botën e globalizuar. Qeverisja e korporatave ka si objektiv rritjen e besimit ndërmjet të gjitha palëve të interesuara në kompani dhe përgjithësisht në ekonomi

Besimi në biznes gjatë viteve të fundit është vënë seriozisht në pikëpyetje. Por, është interesant fakti se njëkohësisht ka rënë edhe besimi ndaj qeverive. Duhet të dihet se besimi në biznes është më i lartë sesa besimi ndaj qeverive në të gjitha vendet, përveçse 3 nga 22 vendet të cilat ishin objekt i skenimit. Ky është konkluzioni kyç i Riçard Edelman, president dhe drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i “Edelman”, kompani konsulente nga SHBA, të cilin ai e prezantoi në Forumin Ekonomik Botëror që u mbajt në Davos në vitin 2010.

Kiril Nejkov është drejtues i Projektit për Qeverisjen e Korporatave pranë Korporatës Ndërkombëtare Financiare (IFC) në Maqedoni, evidenton se kompania “Edelman” çdo vit realizon kërkime të sofistikuara mbi opinionin publik nga të cilat grumbullon të dhëna nga i ashtuquajturi “publik i informuar” i cili përbëhet nga individë të arsimuar dhe të suksesshëm nga dhjetëra shtete të cilët i ndjekin lajmet dhe ngjarjet. Sipas kërkimit të “Edelman” në vitin 2010, sektori të cilit i besohet më së shumti është ai i teknologjisë me më shumë se 80% të popullsisë botërore. Më pak besim gëzojnë bankat – vetëm për një vit, ato nga vendi i tretë i besueshmërisë në SHBA – me 68% – ranë në vendin e fundit me 28% besim. 75% e të anketuarve konsiderojnë se me kalimin e kohës biznesi do të vazhdojë të funksionojë ashtu siç funksiononte edhe më herët, pasi të kalojë recesioni.

Nga shifrat e lartpërmendura mund të shihet se publiku i informuar global e di se sa vështirë është të bëhen ndryshime të mirëfillta strukturore. Në rastet e goditjeve të fuqishme të krizave, lehtë jepen deklarata të mëdha për ndryshime gjithëpërfshirëse, por kur cunami kalon është tepër e vështirë të ruhet ritmi i ndryshimeve. Në të njëjtën kohë, këto shifra vënë në pah se sa e gjatë është rruga e ndërtimit të besimit në një kompani dhe në një sektor të tërë dhe sa është e shpejtë rruga e rënies të të njëjtit.

Gjithsesi konstatimi më interesant i kërkimit të Edelman-it qëndron në atë që edhe pse besimi tek drejtorët e përgjithshëm ekzekutiv të kompanive shënon rritje, në SHBA dhe Evropën Perëndimore drejtorët e përgjithshëm ekzekutiv akoma konsiderohen si zëdhënës të cilët kanë më së paku kredibilitet të flasin për kompanitë që drejtojnë. Në esencë ky është një paradoks, kur e kemi parasysh se pikërisht këta oficerë të firmave janë edhe të zgjedhurit edhe më të paguarit që si persona kanë të drejtën të flasin në emër të kompanisë në krye të së cilës qëndrojnë.

Përfitimi më i rëndësishëm praktik nga besimi është që e redukton nivelin e kompleksitetit me të cilin përballemi vazhdimisht. Kjo është një perspektivë e rëndësishme dhe shpeshherë e neglizhuar. Duke u zhytur në hollësitë e dokumenteve të themelimit të kompanive, duke e vlerësuar ndershmërinë e raporteve dhe numrin e drejtorëve jo ekzekutiv mund të na ndodh që të mos e vërejmë se qëllimi përfundimtar i qeverisjes së korporatave është në rritjen e besimit ndërmjet të gjitha palëve të interesuara dhe me këtë edhe reduktimin e shpenzimeve të nevojshme për kontroll në të gjitha nivelet – për kontrollin të cilin aksionarët duhet ta kenë mbi drejtorët, për kontrollin të cilin drejtorët duhet ta kenë mbi menaxherët, për kontrollin të cilin menaxherët duhet ta kenë mbi të punësuarit.

Aktualisht, nevojën për besimin në kompani në mënyrë të qartë e artikulojnë jo vetëm aksionarët, por edhe të punësuarit dhe konsumatorët. Kërkimet e Edelman-it po ashtu dëshmuan se sot perceptimi ndaj një kompanie nuk ndërtohet vetëm mbi produktet dhe shërbimet e kualitetit të lartë, por edhe ndaj transparencës së ndërhyrjeve të kompanisë si dhe mundësisë që të njëjtës t’i besohet. Në fundin e prioriteteve të cilat u interesojnë njerëzve në lidhje me kompanitë janë shifrat e fuqishme dhe lidershipi i suksesshëm.

Si përfundim të këtij teksti do të citojmë një konkluzion pedagogjik të Alison Smale, drejtor ekzekutiv i “International Herald Tribune”. Ai mbajti një fjalim në fund të panelit të Forumit në Davos në vitin 2010, ku hodhi një vështrim mbi çështjet e besimit, për të konstatuar se gjatë diskutimit, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të kompanive të industrisë, të zyrave të konsulencës dhe të auditimit, organizata sindikaliste dhe investitorë privatë që kërkuan mënyra të rritjes së besimit ndaj biznesit – u çudit nga fakti se askush nga diskutuesit nuk përmendi se ndërrimi i shefave të lartë aktualë të kompanive është një mënyrë e mirë që të rikthehet besimi në biznes.

Projekti për Qeverisjen e Korporatave është bashkëfinancuar nga Sekretariati Zviceran i Shtetit për Çështje Ekonomike (SEKO). IFC është pjesë e Grupit të Bankës Botërore. Qendrimet e prezantuara janë të autorit, dhe domosdoshmërisht nuk pasqyrojnë pikëpamjet e IFC-së.

KOMENTE