English

Vrasja e shqiptarit për racizëm, kapen 2 grekë

Athinë, 30 Prill 2011 NOA - Policia greke konfirmoi sonte se ka arrestuar dy shtetas grekë, një 22 vjeçar dhe një tjetër 28 vjeç, pasi bashkë me dy të tjerë i morën jetën publikisht duke masakruar me thika, një të ri shqiptar.

“Të arrestuarit, në kërkim të akuzuar për vrasje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje, janë dy prej katër autorëve të vrasjes së të riut shqiptar, më 30 mars të këtij viti në rrugën “Miauli” në Psiri”, - citon korrespondenti i agjencisë NOA, burime zyrtare nga policia helene.

Sipas policisë, katër grekët i morën jetën 21 vjeçarit shqiptar, jashtë një klubi nate, afër Akropolit në Athinë, pak pasi ai në gjendje të dehur kishte ngacmuar pesë femra, të gjitha greke, në ambientet e lokalit, madje sipas dyshimeve policore dhe pretendimeve të të arrestuarve, duke gjuajtur një karrige.

Policia tha se katër grekët e futën në mes të riun shqiptar dhe e goditën me sende të forta, karrige, duke e plagosur me thika derisa i morën jetën. Akti vandal ndodhi nën britma raciste të grekëve.

Ngjarja ndodhi në orët e para të 30 marsit, në rrugën “Miauli” të zonës Psiri, pikërisht pranë qendrës së famshme antike në Akropol.

Viktima, një emigrant shqiptar 21 vjeçar, u qëllua me sende të forta dhe u la në rrugë duke dhënë shpirt.

Pak minuta më vonë, dërgimi në spitalin shtetëror të Athinës vetëm sa konfirmoi vdekjen e 21 vjeçarit shqiptar.

Policia duke mbledhur dëshmi mbi ngjarjen, tha se 21 vjeçari shqiptar më herët gjendej në një lokal nate pranë Akropolit, së bashku me një shok.

Në argëtim e sipër, dyshohet se i riu ka ngacmuar vajza që gjendeshin aty.

Më pas që të dy kanë dalë nga lokali, për të shkuar në shtëpi, pa e besuar kurrë se ç’mund t’u ndodhte.

Ata janë sulmuar nga katër grekë të cilët i kanë qëlluar me thikë duke therur 21 vjeçarin, kurse shoku i tij ka marrë plagë joserioze për jetën.

Policia konfirmoi se katër grekët vrasës, kanë kryer aktin kriminal edhe pse nuk kishin asnjë lidhje me vajzat, dhe as me 21 vjeçarin dhe shokun e tij.

Ndaj policia hetoi për një krim racist të nxitur nga incidenti mes njërit prej të rinjve dhe vajzës në barin e natës.

Vrasja ka ngjallur irritim në radhët e emigrantëve shqiptarë në Athinë. Shumë prej tyre janë shprehur se ishte një ekzekutim i pastër racist.

Për më tepër edhe policia ka pranuar në një komunikatë se viktima dhe autorët nuk kishin asnjë lidhje, njohje të mëparshme apo përplasje dhe për më tepër, ata ishin të armatosur kurse i ndjeri, i pambrojtur.

Lidhur me versionin që jep policia për vrasje në bashkëpunim nga katër grekët, të 21 vjeçarit, pasi ky i fundit ngacmoi një vajzë në lokalin e natës, edhe opinioni grek ka mbetur i dyzuar. Në vendin e ngjarjes ata kanë pohuar se nuk mundet kurrsesi për një incident në bar nate, të kryhet vrasje në grup jashtë saj.

Drejtoria e Policisë së Athinës tha se është në kërkim edhe të dy autorëve të tjerë të masakrës.

n.s/e.t/NOA

KOMENTE