E shtunë, 30 prill 2011, NOA- Intervistë me Drejtorin e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë, Michael Weichert, në prag të zgjedhjeve lokale të 8 Majit.
Zoti Weichert, zgjedhjet lokale të 8 Majit po afrojnë dhe fushata elektorale, përfundon pas një jave. Cili është mendimi juaj për procesin zgjedhor, që po zhvillohet në Shqipëri? Si do ta karakterizonit në përgjithësi atmosferën zgjedhore?
Këto zgjedhje zhvillohen në një situatë dhe rrethana tepër të veçanta. Pra, procesi zgjedhor vjen pas një krize politike, që ka bllokuar për një farë kohe shumë pjesë të shtetit dhe të shoqërisë Për fat të keq kjo krizë nuk kapërcye para zgjedhjeve, ajo mbetet ende e pazgjidhur. Kjo situatë më bën të jem disi i shqetësuar lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve lokale të 8 Majit, nisur edhe nga një lloj histerie e muajve të fundit, madje pothuajse e një viti. Shoh një situatë shumë të tensionuar politike. Ajo ka qënë e tensionuar, por gjatë fushatës elektorale tensioni është rritur. Mendoj që kundërshtia mes dy blloqeve kryesore politike, njëri i drejtuar nga PD në qeverisje dhe tjetri nga PS në opozitë, po dominon gjithçka dhe mund të them po bllokon veprimtarinë normale të institucioneve edhe shoqërisë. Këtë e konstatoj edhe këtu në Fondacion, ku shumë akivitete nuk mund të realizohen, pasi njerëzit presin se çfarë do të ndodhë me zgjedhjet dhe ndihen të shqetësuar. Dhe kur njerëzit janë të shqetësuar kjo është një arsye që edhe ne, që jemi në rolin e vëzhguesit, të jemi të shqetësuar.
Shqetësimi juaj, në fund të fundit, lidhet me cilësinë e zgjedhjeve, pra nëse ato do të jenë të lira, të ndershme dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare. A ka premisa institucionale, ligjore, që këto zgjedhje të jenë të tilla dhe që rezultati të njihet dhe pranohet nga pala humbëse? BE ka dhënë me këmbëngulje mesazhin e rolit vendimtar, që do të kenë zgjedhjet lokale të 8 Majit, që ai të pranojë ose refuzojë aplikimin e sivjetshëm të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.
Para së gjithash një mesazh i tillë u jepet para çdo procesi zgjedhor të gjitha vendeve të rajonit , që janë kandidate potenciale për anëtarësim në BE. Natyrisht, zgjedhjet lokale të 8 Majit janë një rast i mirë për ta theksuar këtë mesazh. Në parim besoj që Shqipëria i ka të gjitha institucionet për të ndërmarrë veprimet e duhura për të zhvilluar zgjedhje të suksesshme, të lira dhe të ndershme. Por çështja është, sesi këto institucione i përdorin kapacitetet e tyre institucionale. Dhe ajo, që po ndodh në javët e fundit, nuk të jep një lloj sigurie që, në çdo rast gjërat do të funksionojnë si duhet dhe në bazë të ligjit. Për mendimin tim përgatitja e procesit zgjedhor nga faktorët politikë dhe institucionet filloi me shumë vonesë. Pati deri në momentin e fundit përpjekje për të arritur një marrëveshje mes faktorëve politikë për vetë procesin zgjedhor dhe për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve, që për fat të keq nuk patën sukses. Megjithatë shpresoj që do të zbatohen të gjitha dispozitat ligjore dhe që institucionet do të funksionojnë mirë. Por gjithsesi pa një konsensus të përgjithshëm politik për të pranuar institucionet e shtetit, që janë institucionet e të gjithëve mendoj se është shumë e vështirë të presësh, që sido që të jetë rezultati, ai do të pranohet dhe do të njihet lehtësisht nga të gjithë.
Ju përmendët institucionet dhe rëndësinë e tyre. Si e komentoni urdhrin e KQZ drejtuar edhe operatorëve TV private për të transmetuar kaseta të përgatitura në selitë e partive lidhur me takimet elektorale?
Në vendin tim, në Gjermani, stacionet televizive janë të detyruara t'u japin partive politike kohë të barabartë televizive për të bërë propagandën e tyre. Materiali i transmetuar nga partitë gjatë kohës televizive, të vënë në dispozicion sipas marrëveshjeve paraprake prodhohet nga vetë partitë në garë. Por prodhimi i video-kasetave nga vetë partitë për aktivitetet e tyre elektorale dhe më pas transmetimi nga stacionet TV është problematik dhe nuk duhet të ndodhë. Gazetarët dhe media duhet të jenë të lirë dhe krejtësisht të pavarur në raportimin për procesin zgjedhor
Çfarë mendoni për programet, projektet dhe alternativat e zhvillimit, që dy koalicionet në garë, “Aleanca për qytetarin” i kryesuar nga PD në pushtet dhe” Aleanca për të ardhmen” i kryesuar nga PS në opozitë po u prezantojnë qytetarëve për të marrë votën e tyre?
Nëse dëgjon kandidatët nga të dyja koalicionet, ata premtojnë investime dhe aktivitete jashtëzakonisht të mëdha. Unë pyes veten, nëse këto premtime mund të bindin një votues të informuar, një votues që mendon dhe të mos i duken thjesht një propagandë elektorale. Kjo pasi realizimi i tyre kërkon financime dhe kapacitete të mëdha, që nuk mund të gjenden kaq kollaj nga kushdo, që mund të fitojë zgjedhjet.
DW/NOA