English

Xhaferraj: Abuzimit me taksat do t’i vij fundi

Durrës, 30 prill 2011, NOA- Kandidati i maxhorancës për qytetin e Durrësit Ferdinand Xhaferraj gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një takim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së qytetit.

Gjatë takimit me biznesmenët, u theksua domosdoshmëria e vendosjes së disa principeve, mbi të cilat të ngrihej marrëdhënia institucionale mes komunitetit të biznesit dhe bashkisë.

Xhaferraj vlerësoi se zhvillimi i qytetit nuk mund të shihej si i shkëputur nga marrëdhënia bashki-biznes, duke e konsideruar këtë si marrëdhënie të ngushtë e reciproke, duke e cilësuar marrëdhënien mes tyre si thelbësore.

Duke u ndalur në një prej problemeve më të cilat përballet biznesi në Durrës, taksat, kandidati për kryebashkiak tha se në programin e tij, parashikonte që niveli i taksave në fund të katër viteve të reduktohej deri në masën 50%.

Megjithatë, sipas Xhaferrajt, ulja e taksave nuk është garancia e vetme e suksesit, pasi edhe xhiroja vjetore ishte një ndër elementët, për të cilin duhet të krijoheshin kushtet e përshtatshme për rritje.

Për sa i përket shqetësimit të bizneseve për taksat që paguajnë e për të cilat nuk marrin shërbimin për të cilin taksohen, Xhaferraj premtoi se abuzimit me taksat do t’i vij fundi. “Çdo biznes do të paguajë për shërbimin që i ofrohet, asnjë taksë nuk do të paguhet në mungesë të këtij shërbimi dhe taksimi do të bëhet në bazë të xhiros vjetore që biznesi realizon”, tha ai.

Më tej, kandidati Ferdinand Xhaferraj garantoi përfaqësuesit e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë dhe komunitetin e biznesit në Durrës, që asnjë vendim që do të ndikonte drejtpërdrejtë më ecurinë dhe aktivitetin e biznesit, nuk do të merrej nga bashkia pa u konsultuar më parë me këtë grup interesi, duke e quajtur këtë si kushtin primar për të vendosur një marrëdhënie të drejtë dhe produktive mes të dyja palëve.

Nga ana e tij, Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Andrea Xhavara , tha se prespektiva e zotit Xhaferraj, për ta bërë Durrësin si shumë qytete të zhvilluara evropiane, duhet të niste nga europianizimi i marrëdhënies së bashkisë me biznesin.

a.y/NOA

KOMENTE